Video/ Autogol apo gol i Ronaldos? Shpërthejnë polemikat në rrjet, Liga Saudite ia akordon portugezit dhe e afron me shifrën 1000

23/10/2026 20:11

Cristiano Ronaldo vazhdon t’i afrohet shifrës historike të 1000 golave në karrierë, por realizimi i tij në fitoren 3-1 të Al-Nassr ndaj Al-Faisaly u shoqërua me polemika.

Pavarësisht dyshimeve se topi mund të ketë devijuar nga një mbrojtës kundërshtar, regjistrimi zyrtar i kampionatit saudit ia atribuon golin yllit portugez.

Ronaldo realizoi në minutën e 49-të, kur u shkëput mbi mbrojtësit dhe dërgoi me kokë në rrjetë topin e ardhur nga goditja e dënimit e João Félix. Goli u kontrollua edhe nga sistemi VAR, ndërsa arbitri vendosi ta konfirmonte pasi vlerësoi se portugezi nuk ishte në pozicion jashtë loje.

Megjithatë, pamjet e përsëritura ndezën debat mes tifozëve, pasi topi duket se mund të ketë prekur një mbrojtës të Al-Faisaly përpara se të përfundonte në rrjetë. Kjo ngriti pikëpyetje nëse duhej të regjistrohej si autogol.

Sipas raportimeve të Goal.com dhe mediave të tjera sportive, regjistri zyrtar i Saudi Pro League ia ka atribuar realizimin Cristiano Ronaldos. Pra, pavarësisht diskutimeve për devijimin e mundshëm, deri në publikimin e raportimeve të fundit nuk rezulton që goli të jetë ndryshuar në autogol.

Ky realizim e çoi Ronaldon në kuotën e 982 golave zyrtarë në karrierë, vetëm 18 larg objektivit të tij për të arritur shifrën e 1000 golave.

Për më tepër, sipas statistikave të cituara nga Goal.com, Al-Faisaly u bë skuadra e 25-të kundër së cilës portugezi ka shënuar në kampionatin saudit.

Top Channel