“Jam student i Mjekësisë, mesataren e kam 10, nuk kam precedent penal”/ Flet 20-vjeçari që Rama publikoi me iniciale si të lidhur me krimin

23/10/2026 11:50

Një nga studentët e Mjekësisë që iu bashkua këtë të premte protestës para Kryeministrisë është 20-vjeçari Joni Sinoymeri, i cili deklaroi se është personi me inicialet J.S. që kryeministri Edi Rama publikoi sot me foto, duke e paraqitur si person me precedent për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Studenti, i cili mbante një maskë kirurgjikale, e hoqi atë përpara kamerave gjatë protestës para Kryeministrisë dhe, duke iu referuar fotos së publikuar nga kryeministri me mbishkrimin “Student? Jo!”, deklaroi: “Jam ky këtu”.
Sinoymeri kundërshtoi mënyrën se si është paraqitur publikisht, duke theksuar se është student i Universitetit të Mjekësisë  Tiranës dhe se ka mesatare 10.00.
“Më ka akuzuar mua për precedent penalë, për prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Shikojeni në foto të gjithë, se nuk kam asnjë lloj turpi. Unë jam student i Universitetit të Mjekësisë, e kam të shkruajtur këtu. Nuk ka asnjë lloj legjende me mbret shpik ky. Meqë ka dashur të na cënonnte, na ka quajtur organizata Antifa, neokomunista. Dua të tregoj edhe të gjitha notat që kam marrë, me mesatare 10:00. Nuk na ndaloni dot me këto gënjeshtra”, tha ai.
20-vjeçari tregoi gjithashtu se ishte shoqëruar në polici të martën e kaluar, ku, sipas tij, u mbajt për rreth 7 orë e gjysmë dhe më pas u la i lirë.
I pyetur nëse do të bëjë denoncim studenti u shpreh: “Nuk e di a do ta denoncoj, se nuk kam kohë për denoncime të kota. Nuk kam besim te asgjë. Te kush ta denoncoj?”.

Top Channel