Një investim i ri shtohet në Njësinë Administrative Ndroq.

Bashkia e Tiranës ka përfunduar një tjetër investim të rëndësishëm, që u vjen në ndihmë banorëve të Lagjes së Re në Ndroq, duke asfaltuar disa rrugë të saj dhe duke sjellë në këtë zonë standardet më të mira në infrastrukturën rrugore.

“Ky do jetë një mandat ku do e kemi fokusin kryesisht te fshati. Nuk mund të kemi një Tiranë e cila ecën me 2 shpejtësi: me të pestin te Sheshi “Skënderbej” dhe rri në vend kur vjen puna te Ndroqi, te Vaqarri, te Shën Gjergji, apo në Petrelë. Jam shumë i lumtur sot që një nga lagjet e reja të Ndroqit ka një rrugë me cilësi.” deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë siguroi se në këto ditë të gushtit vëmendja do të jetë te shkollat, kopshtet, çerdhet dhe infrastruktura e tyre ndihmëse, që shtatori t’i gjejë gati për të mikpritur fëmijët.

“Tani që po afron shtatori, fokusi do të jetë te shkollat, kopshtet, çerdhet, rrugët dhe infrastruktura përreth tyre. Besoj se koha kur fëmijët duhet të merrnin fugonin dhe të shkonin në qendër të Tiranës, ose nga lagjet periferike apo nga fshati, kursehen kur infrastruktura është e njëjtë, si në qendër të Tiranës, ashtu edhe në Ndroq.” shtoi kryebashkiaku i Tiranës .

Investimi i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e rrugëve në Ndroq, ka përfshirë jo vetëm asfaltimin, por edhe sistemimin e ujërave të zeza dhe të bardha, trotuare, ndriçim dhe vendosjen e plotë të sinjalistikës vertikale dhe horizontale.

Top Channel