“Marr frymë, por nuk jetoj më”, tha 17-vjeçarja holandeze në rrjetet shoqërore para se t’i nënshtrohej vdekjes me eutanazi.

Vajza adoleshente, e quajtur Noa Pothoven, vuante nga stresi pas-traumatik. Dhimbja që i ishte shkaktuar nga përdhunime në fëmijëri ishte tashmë e padurueshme.

Ajo shkroi një autobiografi të titulluar “Të fitosh e të mësosh”, ku flet për sëmundjen, depresionin dhe anoreksinë, të cilat iu shkaktuan pas ngacmimeve seksuale që pësoi në moshë të vogël.

“Do të dal drejt e në temë. Pas pak, unë do të vdes”, tha ajo në rrjetet shoqërore. “Ndoshta disa do të habiten, por kam kohë që e bluaj në mendje vendimin e eutanazisë dhe nuk po e marr në mënyrë impulsive. Pas kaq shumë vitesh me përpjekje të dhimbshme, më kanë shteruar fuqitë. U bë kohë që as nuk ha, as nuk pi dot. Pas shumë diskutimeve dhe vlerësimeve të situatës, vendosa ta bëj, pasi dhimbjet janë të padurueshme”, shtoi ajo pasi u kërkoi miqve në Instagram që të mos përpiqen ta bindin të tërhiqet.

Vajza vdiq në dhomën e ndenjes të shtëpisë së saj, dhe sipas ligjit nuk kishte nevojë të merrte as lejen e prindërve. Në Holandë, vendimin për vdekje me eutanazi mund ta marrin edhe fëmijët 12-vjeç, por vetëm nëse është garantuar nga mjeku që dhimbjet janë vërtet të padureushme. Eutanazia është e ligjshme edhe në disa shtete të SHBA-ve, në Kanada dhe në Belgjikë.

FOTO GALERI
1/7
Vajza ishte përdhunuar tri herë në fëmijëri. Dy herë në festa ditëlindjesh te shoqet, kur ishte 11 dhe 12 vjeçe. Dhe kur ishte 14-vjeçe, ishte përdhunuar nga dy burra të rritur teksa kalonte në lagje.

Top Channel