Balina Bodinaku flet lidhjen e fortë të dashurisë me Andi Bushatin: Nuk është mistrec, është romantik dhe i kujdesshëm

19/04/2026 19:42

Në një rrëfim personal në Grida Duma Podcast, gazetarja Balina Bodinaku foli për marrëdhënien e saj me partnerin, gazetarin e njohur Andi Bushati.

Bodinaku pranon se është mësuar që në çdo dalje publike të pyetet për Bushatin, pikërisht sepse ai vetë zgjedh të mos flasë për jetën personale. “Është natyrë shumë diskrete. Nuk para ka folur për veten,” thotë ajo, duke nënvizuar se kjo e shtyn publikun të kërkojë përgjigje tek ajo.

Përtej perceptimit publik që e sheh Bushatin si një personazh të vështirë apo “ngacmues”, Bodinaku jep një këndvështrim tjetër. “Nga brenda nuk më rezulton aq i vështirë,” shprehet ajo, duke shtuar se marrëdhënia mes tyre nuk është një përditshmëri përballjeje, por një proces i ndërtuar mbi balancë dhe mirëkuptim.

Një nga momentet më të sinqerta të rrëfimit ishte kur Bodinaku ndau një detaj të vogël nga përditshmëria e tyre, që për të përkufizon kujdesin në çift:

“Para ca ditësh po binte shi. Isha futur në një dyqan dhe kur dola thashë ‘po bika shi, s’kam marrë çadër’. Po mendoja t’ia fusja një vrapi. Ndërkohë më bie telefoni. Ishte ai. Më pyet ‘ku je?’. I thashë jam në një dyqan. Më tha ‘erdha’. Nuk ia kërkova. I kishte shkuar mendja vetë që mund të isha jashtë, mund të isha në shi”, tha Bodinaku

Megjithatë, marrëdhënia nuk është pa përplasje. Ajo pranon se debatet janë të shpeshta, madje edhe për qëndrime publike të Bushatit. Por pikërisht këtu qëndron një nga vlerësimet më të forta që ajo ka për të: “Është shumë parimor. Nuk udhëhiqet nga interesa të tjera në atë që thotë. E thotë sepse ashtu e mendon.”

Në fund, Bodinaku e bën të qartë se, pavarësisht kuriozitetit publik, ajo përpiqet të ruajë kufijtë e partnerit të saj me hapësirën publike. “Kjo është një formë kujdesi për tjetrin,” thekson ajo, duke lënë të kuptohet se marrëdhënia e tyre funksionon pikërisht mbi këtë ekuilibër mes asaj që ndahet dhe asaj që mbetet private.

Top Channel