Victoria Beckham flet për krizën me djalin Brooklyn Beckham: Gjithmonë kemi bërë më të mirën për fëmijët tanë

16/04/2026 22:40

Mes përçarjes së vazhdueshme me djalin e saj të madh, Victoria Beckham ka reaguar publikisht, duke theksuar se ajo dhe bashkëshorti i saj, David Beckham, janë përpjekur gjithmonë të mbrojnë dhe të mbështesin fëmijët e tyre.

Brooklyn Beckham, 27 vjeç, kishte ndërprerë lidhjet me familjen në janar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku deklaronte se nuk kishte plane për pajtim me prindërit dhe i akuzonte ata se e kishin kontrolluar për pjesën më të madhe të jetës së tij, si dhe kishin tentuar të prishnin marrëdhënien e tij me bashkëshorten, Nicola Peltz.

Në një intervistë për The Wall Street Journal, stilistja e njohur u shpreh: “Ne i duam shumë fëmijët tanë dhe gjithmonë jemi përpjekur të jemi prindërit më të mirë që mund të jemi. Kemi qenë në sy të publikut për më shumë se tridhjetë vjet dhe gjithçka që kemi bërë është t’i mbrojmë dhe t’i duam.”

E pyetur nëse ndiente keqardhje për ekspozimin e familjes në publik, ajo u përgjigj se nuk kishte ndjenja faji, por pranoi se ishte një proces i vështirë për prindërit e saj të përballeshin me paparacët. “Ne i kemi sjellë familjet tona me vete në këtë udhëtim,” shtoi ajo.

Raportohet se Victoria dhe David Beckham nuk kanë komunikuar me Brooklyn që nga maji i kaluar, kur ai dhe bashkëshortja e tij munguan në festimet e 50-vjetorit të ish-futbollistit.

Duke folur për rolin e saj si nënë, ajo theksoi se rritja e fëmijëve të rritur është shumë më sfiduese se ajo e fëmijëve të vegjël. “Po përpiqemi të bëjmë më të mirën që mundemi,” u shpreh ajo.

Victoria Beckham shtoi gjithashtu se publiciteti negativ i muajve të fundit nuk ka ndikuar në biznesin e saj të modës dhe bukurisë, duke theksuar se klientët zgjedhin produktet e saj për cilësinë dhe jo për emrin.

Ndërkohë, Brooklyn Beckham ka vijuar të shprehë publikisht mbështetjen për bashkëshorten e tij, duke theksuar në një postim për përvjetorin e katërt të martesës se ata “kanë kaluar shumë së bashku, por janë më të fortë se kurrë”.

Top Channel