Video/ E bllokuar që nga 23 marsi në bregun e Baltikut, përpjekje të dëshpëruara për të shpëtuar “Timin”

20/04/2026 11:15

Për të katërtën ditë radhazi, operacionet e shpëtimit pritet të vazhdojnë për balenën “Timi”, e cila ka mbetur e bllokuar në ujëra të cekëta të Detit Baltik për javë të tëra.

Rasti ka ngjallur interes dhe emocione të mëdha në Gjermani, ku opinioni publik po ndjek nga afër zhvillimet.

Balena më e madhe, e quajtur “Timi”, është vëzhguar prej kohësh në ujëra të cekëta, sipas ekipeve monitoruese. Ajo u gjet në vështirësi më 23 mars, duke nisur një operacion kompleks shpëtimi ku u përdorën edhe mjete të rënda. Fillimisht u arrit që të kthehej në det, por më pas u rikthye sërish në zona të tjera bregdetare.

Ekspertët fillimisht vendosën të mos ndërhynin më tej, duke shpresuar që kafsha të kthehej vetë në ujëra më të thella. Megjithatë, gjendja e saj është përkeqësuar, me shenja të dukshme lodhjeje dhe një ritëm frymëmarrjeje të çrregullt.

Një iniciativë e re private shpëtimi nisi të enjten, pas disa përpjekjeve të mëparshme të pasuksesshme. Të shtunën, ekipet qëndruan pranë kafshës gjatë gjithë ditës, ndërsa një platformë lundruese u afrua në zonën ku ndodhet balena. Megjithatë, nuk u arrit transportimi i saj drejt Detit të Veriut me rimorkiator.

Veterinerja Janine Bahr van-Gemert deklaroi se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për shpëtimin e saj, duke theksuar se “po bëjmë më të mirën që mundemi për balenën”.

Nga ana tjetër, ekspertë të tjerë kanë shprehur shqetësimin se kafsha ka nevojë për pushim dhe se ndërhyrjet e mëtejshme mund t’i shkaktojnë stres të rëndë. Organizata Sea Shepherd ka bërë thirrje që të ndalen ndërhyrjet, duke argumentuar se balena duhet të lihet e qetë në këtë fazë të ndjeshme.

Që më 1 prill, autoritetet gjermane kishin njoftuar ndërprerjen e përpjekjeve të mëparshme të shpëtimit, duke vlerësuar se kafsha mund të mos mbijetonte. Në rast të ngordhjes së saj, është planifikuar që trupi të dërgohet për analiza shkencore në një muze oqeanografik.

Ndërkohë, debati mes shkencëtarëve dhe ekipeve të shpëtimit vijon, mes shpresës për një mrekulli dhe frikës se ndërhyrjet mund të mos jenë më efektive në këtë fazë.

Top Channel