Ngjarje e rëndë në Greqi/ Persona të panjohur helmojnë 21 qen endacakë njëherazi, nisin hetimet

20/04/2026 10:37

Barbarizëm në Halkidhiki, ku persona të panjohur kanë helmuar 21 qen endacakë. Një valë zemërimi dhe tronditjeje ka përfshirë opinionin publik pas ngjarjes së rëndë në Vavdho të Halkidikisë, ku 21 qen endacakë u helmuan dhe ngordhën në mënyrë të dhimbshme.

Viktima të kësaj mizorie u bënë 14 qen të rritur dhe 7 të vegjël, për të cilët kujdesej një blegtor i zonës. Pamjet dhe dëshmitë nga vendi i ngjarjes kanë shkaktuar indinjatë, ndërsa banorët flasin për një akt që nuk ka vend në një shoqëri të qytetëruar.

Autoritetet lokale dhe organizatat për mbrojtjen e kafshëve e kanë dënuar ashpër këtë ngjarje, duke theksuar se helmimi i kafshëve nuk është thjesht një akt barbarie, por një krim i rëndë penal.

Bashkia e Poligjiros ka bërë të ditur se do të paraqesë kallëzim penal dhe se do të kërkohet identifikimi i autorëve përmes hetimeve policore dhe dëshmive të banorëve.

Në Greqi, ligji parashikon dënime shumë të ashpra për raste të tilla. Personat që helmojnë ose vrasin qëllimisht kafshë mund të përballen me deri në 10 vite burg, gjoba që arrijnë deri në 50 mijë euro, si dhe gjoba administrative nga 30 deri në 50 mijë euro për çdo kafshë të dëmtuar.

Në raste të ngjashme, policia zakonisht merr mostra nga ushqimi i helmuar, kryen analiza toksikologjike dhe mbledh materiale nga kamerat e sigurisë ose dëshmitë e banorëve për të identifikuar autorët.

Organizatat për mbrojtjen e kafshëve paralajmërojnë se përdorimi i helmit nuk rrezikon vetëm qentë dhe macet endacake, por edhe kafshë të tjera, zogj, kafshë shtëpiake, madje edhe fëmijë që mund të vijnë në kontakt me ushqimin e helmuar.

Për këtë arsye, kërkohet jo vetëm ndëshkimi shembullor i autorëve, por edhe më shumë kontrolle, patrullime dhe ndërgjegjësim, që raste të tilla të mos përsëriten më.

Top Channel