Cate Blanchett do të luajë rolin e Martha Stewart në filmin biografik

16/04/2026 22:34

Aktorja fituese e çmimit Oscar, Cate Blanchett, do të marrë rolin e manjates së medias dhe ikonës së stilit, Martha Stewart, në filmin biografik të titulluar “Good Thing”, një referencë ndaj sloganit të saj të njohur “It’s good”.

Filmi do të drejtohet nga Janicza Bravo, e cila ka marrë vlerësime për punën e saj në seriale si The Bear, Poker Face dhe In Treatment. Ky projekt shënon gjithashtu një ribashkim mes Bravo dhe Blanchett, të cilat kanë bashkëpunuar më parë në dramën e vitit 2020 Mrs. America.

Martha Stewart, një ish-modele dhe sipërmarrëse, u bë e njohur në vitet 1980 falë librave të saj të suksesshëm për gatim dhe stil jetese, të frymëzuar nga përvoja e saj në biznesin e ushqimit. Gjatë dekadave, ajo ndërtoi një perandori mediatike që përfshinte revista, libra, produkte shtëpiake dhe emisione televizive, përfshirë serialin fitues të Emmy Martha Stewart Living.

Me kompaninë e saj Martha Stewart Living Omnimedia, ajo u bë gruaja e parë miliardere në SHBA që ndërtoi vetë pasurinë e saj, pas daljes në bursë në vitin 1999. Vetëm vitin e kaluar, Stewart njoftoi edhe lançimin e linjës së saj të kozmetikës, Elm Biosciences.

Megjithatë, jeta e saj është shoqëruar edhe me polemika, pasi në vitin 2004 u përfshi në një gjyq të shumëpërfolur dhe u shpall fajtore për komplot, pengim të drejtësisë dhe dhënie deklaratash të rreme ndaj hetuesve federalë, duke vuajtur pesë muaj burg.

Filmi pritet të sjellë në ekran historinë e plotë të ngritjes, suksesit dhe sfidave të një prej figurave më të fuqishme të industrisë së stilit të jetesës.

Top Channel