Khloe Kardashian shpërthen ashpër ndaj ish-bashkëshortit Lamar Odom: Nuk do të bëj më kurrë asgjë që lidhet me të

16/04/2026 22:29

Khloé Kardashian ka reaguar ashpër ndaj ish-bashkëshortit të saj, Lamar Odom, pas deklaratave të tij në dokumentarin e Netflix.

Në dokumentar, i cili pati premierën më 31 mars, ish-lojtari i NBA-së kujton martesën e tij me Kardashian dhe mbidozën pothuajse fatale të vitit 2015, kur u gjet pa ndjenja në një bordello pranë Las Vegas dhe u shpëtua, ndër të tjera, edhe falë kujdesit të saj gjatë rikuperimit.

Odom flet gjithashtu për vendimin për t’u martuar me Kardashian pas vetëm 30 ditësh njohjeje, duke e përshkruar atë si një “udhëtim pushteti”, ku ai kaloi nga fama si kampion me Lakers drejt ndikimit të familjes Kardashian. Madje, sipas mikut të tij Anthony “Pumpkin” Booker, ai e kishte konsideruar martesën si një hap për të përmirësuar të ardhmen përmes lidhjeve të familjes së saj.

Këto deklarata kanë shkaktuar reagimin e fortë të Kardashian, e cila në podkastin e saj Khloé in Wonder Land e quajti të papranueshme pretendimin se ai ishte martuar për publicitet. “Po rri ulur para kamerës dhe thua se u martove me mua për publicitet? Kjo është kaq e sëmurë. Ndihem kaq budallaqe”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se kishte kaluar orë të tëra duke kontribuar në dokumentar pa asnjë përfitim financiar, duke e bërë këtë si një nder për të, por tani është e zhgënjyer: “Jam e tërbuar që u përfshiva në këtë. Nuk do të bëj më kurrë asgjë me Lamarin”.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt ish-partnerit, Kardashian e akuzoi atë për mungesë përgjegjësie dhe përpjekje për të tërhequr vëmendje, duke e quajtur sjelljen e tij “të neveritshme”. Ajo përmendi gjithashtu edhe episodin e diskutueshëm me një kukull plastike që i ngjante asaj, duke e cilësuar si një veprim “invaziv dhe të papranueshëm”.

Çifti u nda në vitin 2013, ndërsa divorci u finalizua në 2016, pasi Kardashian qëndroi pranë Odom gjatë rikuperimit nga mbidoza.

Në fund, ajo foli edhe për jetën e saj personale dhe marrëdhëniet, duke theksuar se përvojat e kaluara e kanë bërë më të kujdesshme: “Nuk do të lejoj asnjë burrë të më ndikojë në këtë mënyrë tani për tani”, përfundoi ajo.

Top Channel