“Banorët e BE-së që jetojnë në vende të tjera bëjnë jetë më prej europiani. Ata ndihen të lënë mënjanë e të papërfaqësuar në politikë”, vëren Alberto Alemanno, një profesor italian që punon në Bilbao të Spanjës dhe që jeton në Paris.

“Po të ishim shtet, do të ishim më të mëdhenj se Holanda apo Belgjika, pak më të vegjël se Rumania. Si të tillë, do të na takonin 26 deputetë në parlamentin europian. Por nuk jemi, ndaj s’kemi të drejtë përfaqësimi politik.

Ne jemi 17 milionë banorët e BE-së që jetojnë në vende të tjera të unionit, përfshi 3.7 milionë në Britani. Sot jemi 4% e forcës punëtore të BE-së. Mund të duket numër i vogël në krahasim me SHBA-të, ku 41% e banorëve jetojnë në një shtet ndryshe nga ai i lindjes. Por për Europën mbetet shifër e paprecedentë.

Kjo tregon europianizimin gjithnjë e në rritje të shoqërive tona, edhe pse nuk duket, që është përshpejtuar nga nevoja për vende pune dhe nga pasojat e krizës financiare. Si rrjedhojë, të paktën 2 milionë europianë udhëtojnë çdo ditë përtej kufijve për të shkuar në punë, dhe me qindra mijëra lëvizin edhe jashtë kontinentit për punë me pagesë të ulët. Në total janë 20 milionë banorë të BE-së të shpërndarë nëpër kontinent.

Por shpërndarja gjeografike, pas dekadash me kufij të hapur, e bën të pamundur që të kemi nj numërim të saktë se sa jemi në total. Shumica prej nesh nuk e marrin mundimin të regjistrohen në një lagje të re, dhe shpesh jetojnë midis dy vendeve. Europa që po krijohet tani ka trashëguar një kompleks bizantin. Shembujt vijnë që nga shoferët rumunë të makinave Uber në Belgjikë, që dalin rrugëve me patentë spanjolle, vazhdon te mjekët grekë me diplomë italiane që jetojnë në Gjermani, dhe deri te mbledhësit bullgarë të frutave në Angli që janë martuar me moldavë.

Imagjinata kolektive na portretizon si elitë europiane, me disa nga ne që ndoshta përfitojnë nga programi i studimeve Erasmus, dhe që lëvizin vazhdimisht nëpër kontinent me synimin për të përmirësuar veten.

Është ai lloj besimi që e bëri Tereza Mejin të sugjerojë se 3.7 milionë europianë që jetonin në Britani, ishin njerëz që futeshin pa radhë. Por po t’i hedhësh një sy të dhënave, krijohet një ide më e qartë.

Ne, 17 milionë qytetarët e lëvizshëm, vijmë nga 28 shtete. Ka më shumë rumunë se gjermanë që vendosin të udhëtojnë nëpër Europë. Ne kemi prirjen të kemi nivel më të lartë punësimi se ata që jetojnë në vendin ku kanë lindur.

Është e vërtetë që kemi më shumë gjasa të kemi diplomë universiteti se ata që kanë lënë vendin e origjinës, edhe pse kjo varion nga vendi në vend: 62.5% për francezët, 16.1% për portugezët që punojnë jashtë. E njëjta gjë vlen për anën tjetër të spektrit të zanateve: qytetarët me arsim të ulët kanë po aq gjasa sa të diplomuarit për të banuar jashtë. Ata përfaqësojnë 21.9% të popullsisë totale të BE-së, dhe 24.1% të popullsisë në lëvizje.

Europianët e lëvizshëm e kanë më të lehtë të gjejnë punë në një vend tjetër, se në atë të origjinës, pavarësisht nivelit të arsimit. Gjasat janë më të larta sidomos për femrat.

Me pak fjalë, kemi më shumë diversitet se ç’është raportuar fillimisht. Edhe pse nuk jemi një komunitet i përcaktuar, i vetë-ndërgjegjësuar, ne kontribuojmë shumë, ekonomikisht dhe shoqërisht, në zonat ku jetojmë si dhe në zonat nga të cilat vijmë. Por na mungon e drejta e përfaqësimit politik në vendin e ri të banimit, përveçse në zgjedhjet vendore.

Sigurisht, të gjithëve na takon të votojmë për zgjedhjet parlamentare nëpërmjet vendit ku jetojmë, por pothuajse asnjëri nuk voton. Një raportim nga Rrjeti Europian i të Dhënave për Gazetari tregon se vetëm 8% prej nesh regjistrohen në vendin ku banojnë, dhe edhe më pak kthehen në vendin e origjinës vetëm për të votuar.

Kjo nxjerr një të vërtetë të sikletshme. Banorët më europianë, janë më pak të përfaqësuarit në Europë. Ka një sërë arsyesh për këtë.

Së pari, që të ushtrojmë të drejtën e votës ne duhet të regjistrohemi, por na lënë shumë pak kohë për ta bërë këtë. Për një italian që banon në Spanjë është shumë vonë që të votojë për zgjedhjet e muajit tjetër, po të regjistrohet tani. Koha s’më lejon mua, për shembull, të votoj në Bilbao, ku jetoj. As në Torino, prej nga vij, dhe as në Paris, ku punoj.

Autoritetet kombëtare shpesh nuk na informojnë për të drejtat që kemi, dhe as nuk bëjnë të mundur që t’i përdorim. Aq më pak në Britani, ku qytetarët e lëvizshëm thonë që e kanë të vështirë të mësojnë se si mund të votojnë në zgjedhjet evropiane.

Së dyti, vjen mungesa e përfaqësimit. Pavarësisht bisedave për një debat mbarë-europian, zgjedhjet për parlamentin e BE-së janë më shumë si një grumbull i garave zgjedhore kombëtare, ku partitë vendase përballen me njëra-tjetrën për çështje rajonale. Sa mund të na përfaqësojë realisht një kandidat vendor që s’ka përjetuar asnjë lloj lëvizshmërie?

Për këdo që të votoj, qoftë në zonën baske të Spanjës, ku jetoj; qoftë në veri të Italisë, prej nga vij; pak gjasa ka që shqetësimet e mia të kuptohen nga kandidati. Pjesëmarrja jonë në zgjedhje tregon që qytetarët europianë në lëvizje nuk janë të përfaqësuar politikisht.

Kjo mund të ndryshojë nëse nisin të shfaqen forca mbarë-europiane. Një lëvizje me një oferta politike që të vlejnë për të gjithë unionin, duke na dhënë zë dhe përfaqësim specifik. Por ndërkohë, jemi të lënë mënjanë. Çfarë paradoksi! Ata që janë faktikisht duke e ndërtuar Europën, që nga themelet, bashkë me familjet, nuk e kanë mundësinë që të ndikojnë të ardhmen politike.”

Alberto Alemanno, the Guardian

Top Channel