Italia në Botëror në vend të Iranit, plani i Trump-it për t’u rilidhur me Melonin
Kur kanë mbetur më pas se 50 ditë nga nisja e Kupës së Botës, FIFA dhe shtetet pritëse po përballen me kritika të ashpra për çështjet sociale, politike dhe logjistike që po rrethojnë turneun.
Kanadaja dhe Meksika do ta bashkëorganizojnë këtë aktivitet me Shtetet e Bashkuara, të cilat së bashku me Izraelin, nisën më 28 shkurt një konflikt ushtarak kundër Iranit, shtet pjesëmarrës në këtë Botëror. Edhe pse aktualisht është arritur një armëpushim i përkohshëm dhe i brishtë, pjesëmarrja e Iranit mbetet ende e pasigurt.
Tifozët në të tria vendet pritëse po reagojnë ashpër edhe ndaj çmimeve të larta të biletave, ndërsa politikanët lokalë dhe opinioni publik kanë shprehur shqetësime për rritjen e pajustifikuar të tarifave të transportit që lidhin stadiumet në SHBA. “Al Jazeera Sport” sjell një pasqyrë të shqetësimeve kryesore në prag të turneut, i cili nis më 11 qershor me ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.

Dilema e madhe: A do të marrë pjesë Irani?
Kombëtarja e Iranit po vazhdon përgatitjet, por zyrtarët kanë bërë të ditur se vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen do të merret nga qeveria dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, pasi të shqyrtohet siguria e lojtarëve në territorin amerikan.
Irani deklaroi muajin e kaluar se mund të tërhiqet, sidomos nëse vendi pritës nuk garanton sigurinë e ekipit. Ky reagim erdhi pas një postimi në rrjetet sociale nga Presidenti Donald Trump, ku ai sugjeroi se siguria e ekipit iranian nuk mund të garantohej plotësisht në SHBA, vend ku Irani pritet të luajë të gjitha ndeshjet e grupit. Federata iraniane i kërkoi FIFA-s zhvendosjen e ndeshjeve në Meksikë, por kërkesa u refuzua. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi prerë javën e kaluar se Irani “duhet të jetë i pranishëm” në turne.

Kaos me çmimet e transportit në SHBA
Tifozët pritet të paguajnë gati 12 herë më shumë se tarifa normale prej 12.90 dollarësh për një udhëtim vajtje-ardhje me tren nga “Penn Station” (Manhattan) drejt stadiumit “MetLife” në New Jersey, aty ku do të luhet finalja e madhe.
Guvernatorja e New Jersey-t, Mikie Sherrill, dhe FIFA kanë shkëmbyer kritika reciproke për çmimin prej 150 dollarësh për një udhëtim që zgjat vetëm 15 minuta. Ndërsa Sherrill kërkon që kostot t’i mbulojë FIFA, kjo e fundit është përgjigjur se nuk ka asnjë detyrim të tillë. Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Boston, ku udhëtimi drejt stadiumit “Gillette” kushton katër herë më shumë se zakonisht. Në anën tjetër, qytete si Houston, Los Angeles dhe Philadelphia janë zotuar t’i mbajnë tarifat aktuale dhe të përballueshme.

Biletat e larta dhe frika nga bastisjet
Politika e çmimeve ka shkaktuar zemërim, pasi biletat variojnë nga 140 dollarë deri në shifra marramendëse prej 10,990 dollarësh për finalen. Megjithëse kandidatura fillestare premtonte bileta duke nisur nga 21 dollarë, realiteti tregon se biletat më të lira kushtojnë 60 dollarë, ndërsa shumica e tyre kalojnë shifrën e 200 dollarëve.
Një tjetër pikë e nxehtë është frika e tifozëve ndërkombëtarë nga bastisjet e mundshme të agjencive të emigracionit (ICE dhe CBP). Pas politikave të administratës Trump për deportime masive, Infantinos i është kërkuar të ushtrojë presion për një moratorium të përkohshëm gjatë turneut, në mënyrë që tifozët të mos ndihen të rrezikuar.

Alarmi i sigurisë në Meksikë
Së fundi, dhuna në Meksikë ka ngritur alarmin pas një sulmi tragjik në Teotihuacan, ku një turist kanadez mbeti i vrarë dhe 13 të tjerë u plagosën. Ngjarja ka vënë në dyshim protokollet e sigurisë të qeverisë së Presidentes Claudia Sheinbaum, e cila ka premtuar forcim të masave për të garantuar mbarëvajtjen e turneut.
Top Channel