“Monet” dhe “La belle de l’Adriatique” hapin sezonin, ‘zbarkojnë’ në Durrës dy kroçierat e para
Kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka folur për sigurinë ushqimore dhe funksionimin e strukturave inspektuese në vend.
Pas takimit me kryeinspektorët e qarkut të Korçës, Sula dha një deklaratë për mediat, ku tha se në rastin e Shkodrës janë marrë masa disiplinore përfshirë shkarkimin e 10 inspektorëve pas hyrjes së misrit të kontaminuar me aflatoksinë B1.
Sipas tij, këto veprime janë pjesë e një procesi reformimi dhe forcimi të kontrollit ushqimor, që synon rritjen e sigurisë për qytetarët.
Pyetjes për produktet e skaduara, falsifikuara në tregje, masat e marra, kryeinspektori u përgjigj duke thënë: “Nëse do kishit mundësinë që këtë informacion që keni ju, do duhet ta adresoni në platformë, ne reagojmë menjëherë. Ditën e nesërme, ne si Inspektorati i Përgjithshëm, në disa subjekte të padeklaruara dhe të painformuara nga inspektoriatet e zonës këtu, do shkojmë bashkë me ta për inspektim. Ne kemi përzgjedhur edhe supermarkete, edhe linja prodhimi, për të qenë një inspektim i befasishëm, urgjent, i rrufeshëm për të parë nëse ka shkelje apo jo.”
Pyetje: A garantohet siguria ushqimore me fushata inspektimi ku shumica e inspektoriateve janë thuajse fiktive, jashtë funksionit?
Sula: Jo, nuk janë jashtë funksionit. Ka problematika pa diskutim. Unë kam ditën e 69-të në krye të Inspektoratit dhe ju bëj me dije se ndoshta një vendim para dy ditësh, kur ka marrë Inspektorati i Përgjithshëm për rastin e Shkodrës, 15 masa disiplinore ku 10 prej tyre janë shkarkim nga detyra i inspektorëve, për shkak të hyrjes së misrit me aflatoksinë B1 i cili është i dëmshëm edhe për kafshët. Unë i kam vendosur dhe për çdo rast sinjalizimi ne do t’i ndëshkojmë. Çdo masë administrative që ankimohet nga subjekti, ka dy rrugë, ose rri në fuqi masa e vendosur nga inspektimi, ose kjo masë shfuqizohet por me një kusht, në rast padrejtësie që fillon masë administrative për inspektorin.
Ai u pyet edhe për zinxhirin e inspektorateve që duhet të kontrollojnë punësimin e paligjshëm, ku tha “Inspektorati i Punës është fusha që mbulon këtë fushë që ju keni shqetësim dhe me të drejtë. Nuk pretendoj që nuk ekzistojnë. Edhe sikur një biznes të ketë 5 punëtorë dhe një prej tyre të jetë i pasiguruar, është në shkelje të ligjit dhe nuk garanton sigurinë e punonjësit, i cili mund të ketë një incident të ndodhur gjatë punës, nuk përfiton nga e drejta që ka. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim për të bërë inspektime çdo ditë. Mund të them që do vuajmë 6-7-8 muaj maksimumi pasi jemi duke përgatitur edhe sistemin e digjitalizimit, për gjitha fushat e inspektimit, që do të thotë do ta përzgjedhë sistemi subjektin në bazë të indikatorëve të riskut. Ju garantoj që inspektimi do pasurohet me të dhëna të reja, do bëhet e mundur që edhe inspektori të jetë i monitoruar me anë të një GPS-i që mat lëvizjet ku ai shkon.”
Pyetja: Tregjet e ushqimeve ku specialistët ngrenë alarm për helmimin e qytetarëve, a do të ketë masa konkrete për shuarjen e këtij fenomeni?
Sula: Shumë e drejtë, besoj që e keni ndjekur këto 2 muaj që Znj. Gjylameti është në krye të AKU-së, dhe unë si kryeinspektor i përgjithshëm, kemi filluar një valë inspektimesh që po jep rezultat. Javën e kaluar në Shkodër u bë e mundur bllokimi i 110 kuintalëve. Unë përsëri apeloj, ka të bëjë shumë kultura qytetare, pra ndjekja, vigjilenca e tyre, që duhet të sinjalizojnë inspektoratin. Është shumë e rëndësishme gjurmueshmëria dhe për këtë arsye po përgatiten sisteme që do të ndjekin gjurmueshmërinë e produkteve, sepse nga 5 produkte në Shqipëri, 3 ose 4 janë nga importi, hyrja në pikën doganore të Kapshticës, Qafë Thanës dhe pika të tjera doganore në vend. Me anë të gjurmueshmërisë, do të dihet si ka hyrë, çfarë certifikate sigurie ka dhe afati kohor.”
Pyetje: Për pallatin e djegur në Tiranë, a kanë arritur në konkluzione për shkaqet nga inspektoriatet hetimore?
Sula: Unë kam nxjerrë tre urdhra, një urdhër urgjent ditën që ndodhi ngjarja, ku IKMT dhe Inspektorati Shtetëror Industrial, i cili mbikëqyr enët e gazit, bombulat, enët në presion dhe elektrikën. Jemi në bashkëpunim të ngushtë edhe me Prokurorinë e Tiranës, i kemi vënë në dispozicion të gjitha gjetjet tona. Ditën e djeshme, u certifikuan 5 ashensorë në pallate të tjera dhe u bë e mundur të vihen në funksion, por ju garantoj edhe një përgjigje zyrtare shumë shpejt. Kam firmosur edhe dy urdhra të tjerë për Inspektoratin Shtetëror Industrial, një urdhër i rëndësishëm që do bëhet një kontroll i imtësishëm nëse në këto ambiente ka enë me presion që rrezikojnë jetën e qytetarëve apo subjekte të caktuara që mund të vendosin bombula gazi me fuqi të madhe. Edhe një urdhër i rëndësishëm për IKMT është për metodologjinë që do të ndjekin për pallatet e reja, të cilat janë ndërtuar apo janë në ndërtim e sipër, për materialet që do të përdorin të cilat janë të certifikuara, kanë hyrë nga pikat doganore dhe të jenë të kontrollueshme. Ata pronarë të pallateve që kanë marrë leje ndërtimi dhe nuk përfundojnë të gjitha punimet e tyre deri në fund, por i përfundojnë me atë të nënkontraktorëve që s’dihet se kush janë e që s’kanë përgjegjësi, dhe kur vjen akti i kolaudimit e firmos vetëm pronari i lejes por në një kohë që punimet i kanë kryer nënkontraktorët e tjerë, gjë që mund të kenë abuzuar për ta nxjerrë sa më lirë.
Top Channel