Barcelona dhe Liverpooli do të vihen përballë njëra-tjetrës të mërkurën, në sfidën e parë gjysmëfinale mes tyre në Champions League. Mjaftojnë emrat rivalë dhe atmosfera në prag të kësaj sfide ndizet shumë shpejt, e jo më deklaratat e protagonistëve.

Ai që mendoi ta bëjë këtë ishte trajneri i “The Reds”, Jurgen Klopp, me deklaratën e tij për stadiumin katalanas “Camp Nou”, ku do të zhvillohet kjo përballje, diçka që duket se nuk është pëlqyer aspak në ambientet “blaugrana”.

“Camp Nou është vetëm një stadium, shumë i madh, por nuk është një tempull futbolli”, u shpreh Klopp, i cili për herë të parë do të hyjë në këtë stadium prej më shumë se 98 mijë vendesh.

Klubi i Barcelonës, nëpërmjet një postimi në profilin e rrjetin social “Twitter” preferoi t’i kundërpërgjigjej trajnerit gjerman me elegancë, duke publikuar një video të këtij impianti, ku katalanasit kanë shijuar sa e sa fitore.

“Ky është ‘Camp Nou’, shtëpia jonë, tempulli ynë, fortesa jonë”, shkruan Barcelona në postimin e saj që shoqëronte videon.

Ndërkohë, një ditë më parë Barcelona publikoi edhe një video tjetër, teksa prezantoi mozaikun me të cilin do të presin skuadrën angleze. Në këtë koreografi mbizotëronin ngjyrat e klubit dhe të flamurit katalanas, ndërkohë që do të formohet edhe fraza “Gati për të ngjyrosur Europën”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA