Todd Boehly ka shitur aksionet e tij te Chelsea dhe ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të klubit londinez, në një marrëveshje që raportohet të jetë në vlerën e rreth 1 miliard paund.

Pas këtij zhvillimi, Clearlake Capital, grupi që zotëron shumicën e aksioneve të Chelsea, do të marrë kontrollin e plotë të klubit, pasi ka blerë pjesët e Boehly dhe Mark Walter.

Sipas njoftimit zyrtar të klubit, ndryshimi në strukturën e pronësisë nuk do të sjellë ndryshime në operacionet e përditshme, drejtimin apo strategjinë e Chelsea-t.

Behdad Eghbali dhe partneri i tij i biznesit, José E. Feliciano, bashkëthemelues të Clearlake Capital, do të rrisin pjesëmarrjen e tyre në klub në rreth 99.9 për qind.

Boehly dhe Walter kishin secili nga 12.8 për qind të aksioneve, ndërsa Clearlake zotëronte më parë 61.5 për qind.

Edhe miliarderi zviceran Hansjörg Wyss ka shitur pjesën e tij prej 12.8 për qind, por sipas klubit ai do të mbetet “një aksioner dhe partner i rëndësishëm” në grupin e pronësisë.

Boehly, 52 vjeç, ishte një nga figurat kryesore të konsorciumit që bleu Chelsea-n në vitin 2022 për rreth 2.3 miliardë paund, duke marrë klubin nga pronësia e Roman Abramovich.

Në deklaratën e tij pas largimit, Boehly falënderoi Premier League-n, trajnerët, lojtarët, stafin dhe tifozët e Chelsea-t.

“Ka qenë një nder të shërbeja si president i Chelsea Football Club”, deklaroi ai, duke shtuar se kishte vlerësuar partneritetin me Clearlake dhe grupin e pronësisë.

Boehly tha gjithashtu se është “i bindur” se Chelsea është i pozicionuar për të vijuar suksesin nën drejtimin e Clearlake.

Nga ana tjetër, Eghbali dhe Feliciano e falënderuan Boehly-n për kontributin e tij si president, duke e cilësuar atë një partner të rëndësishëm gjatë periudhës së pronësisë së përbashkët.

Ndryshimi i pronësisë vjen pas një periudhe gjatë së cilës marrëdhëniet mes Boehly dhe Eghbali ishin raportuar si të tensionuara.

Bisedimet për një blerje të aksioneve të njëri-tjetrit kishin nisur që në vitin 2024. Kushtet e marrëveshjes fillestare të blerjes së Chelsea-t parashikonin që anëtarët e konsorciumit të mund t’ia shisnin aksionet njëri-tjetrit gjatë 10 viteve të para të pronësisë.

Me përfundimin e marrëveshjes, Clearlake bëhet kontrolluesi kryesor i Chelsea-t, ndërsa Boehly largohet nga struktura drejtuese e klubit.

Boehly do të vazhdojë aktivitetin e tij në sport, pasi është pronar i ekskluzivitetit të MLB-së Los Angeles Dodgers dhe ka gjithashtu një pjesë në skuadrën e WNBA-së Los Angeles Sparks.

Top Channel