Nën vëzhgimin e Sfinskit, në Kajro të Egjiptit u hodh shorti i fazës finale të Kupës së Kombeve të Afrikës, ngjarja më e rëndësishme e futbollit të këtij kontinenti. Gjithçka  nisi me një ceremoni ku fishekzjarrët shumëngjyrëshe shkëlqyen mbi piramidat e Gizës duke dhuruar një pamje fantastike për të gjithë të pranishmit në këtë short.

Pas këtij spektakli, gjërat u bënë serioze dhe skuadrat mësuan fatin e tyre në këtë eveniment. Egjipti i Mohamad Salah, organizatori i Kupës së Kombeve dhe  7 herë fituesi i saj është në grupin A me Kongon, Ugandën dhe Zimbabven. Por skuadra për t’u mundur në këtë kompeticion është Kameruni, kampioni në fuqi i evenimentit dhe njëkohësisht skuadra e dytë më fituese në Kupën e Kombeve me 5 tituj.

Kameruni ndodhet në Grupin F së bashku me Ganën, 4 herë kampione e kontinentit afrikan, Beninin dhe Guinea-Bissau. Në Grupin B është Nigeria me Guinean, Madagaskarin dhe Burundin. Grupi C përbëhet nga Senegali, Algjeria, Kenia dhe Tanzania. Në grupin D shorti vendosi Marokun, Bregun e Fildishtë, Afrikën e Jugut dhe Namibinë. Ndërsa në Grupin E, Tunizia do të masë forcat me Malin, Mauritaninë dhe Angolën. Ndryshe nga herët e kaluara që është zhvilluar në periudhën janar-shkurt, edicioni i këtij viti i Kupës së Kombeve  do të zhvillohet nga 21 qershori deri në 19 korrik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA