Spektakël i vërtetë në “Stadio Olimpico”, ku Lazio dhe Milan kanë barazuar 2-2 në një ndeshje të jashtëzakonshme të Serie A.

Vendasit e nisën takimin nën diktimin e tyre, duke shfrytëzuar çdo hapsirë në prapavijën kuqezi. Skuadra nga kryeqyteti u shfaq klinike në finalizim gjatë fraksionit të parë të lojës. Ishte Matteo Cancellieri ai që zhbllokoi shifrat që në minutën e 10-të, duke ndezur festën në tribuna. Për ta bërë pozitat e Lazios edhe më të sigurta mendoi Tijjani Noslin, i cili gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 39-të, duke e çuar rezultatin në 2-0 dhe duke e mbyllur pjesën e parë me një qetësi relative për bardhekaltrit.

Megjithatë, fraksioni i dytë solli një transformim rrënjësor të lojës dhe një reagim prej skuadre të madhe nga Milan. Kuqezinjtë u hodhën në sulm duke rritur ndjeshëm ritmin dhe presionin. Heroi i mbrëmjes për miqtë rezultoi të ishte Diego Moreira, i cili mori përsipër fatet e skuadrës. Brenda një intervali shumë të shkurtër kohor, Moreira vulosi një dygolësh spektakolar në minutën e 65-të dhe atë të 67-të, duke shokuar mbrojtjen vendase dhe duke përmbysur disavantazhin psikologjik të gjithë sfidës.

Minutat e mbetura deri në përfumdim të kohës së rregullt dhe çastet e tensionuara panë të dyja skuadrat të kërkonin golin e fitores, por pa sukses. Një ndarje pikësh që lë shije të ndryshme, zhgënjim te Lazio për mënyrën se si u administrua avantazhi i dyfishtë, dhe karikim te Milan për karakterin e treguar në transfertë.

Top Channel