Kopertinat e reja në Vitrinën e librit: “Kafshët fantastike” dhe “Postieri”

 

KAFSHËT FANTASTIKE nga Joanne K. Rowling, përkthyer nga Mira Kroqi

“Kafshët fantastike” është një libër guidë i vitit 2001, i shkrimtares angleze J.K.Rowling mbi kafshët magjike në universin e Harry Potterit. Versioni origjinal, i ilustruar nga vetë autorja, presupozon të jetë kopja e librit shkollor të Harry Potterit. Në këto seri, magjizoologjia është dega e magjisë që studion kafshët magjike. Albus Urtimori, drejtori i shkollës së Hoguortsit, një shkollë e magjisë dhe e  shtrigërisë  i thotë lexuesit, “…Krijesat mbresëlenëse të përshkrura këtu janë të shpikura dhe nuk munden të të lëndojnë”.

Gelert Grindelvaldi shfaqet përpara sheshkalldrëmit të një kështjellje të madhe të braktisur ku vret pesë aurorë. Ai ecën duke lënë pas trupat e tyre me vështrimin e ngulur në qiellin e natës. Ai kërkohet në të gjithë botën për t’u vënë përpara drejtësisë. Cfarë ndodh më tej? Ngjarjet zhvillohen në vitin 1926 në qytetin e Nju Jorkut, ku ngjarjet e pak njerëzve dhe disa krijesave do të përcaktojnë fatin e shumë të tjerëve. Autorja shpjegon se mblodhi shumicën e informacioneve të gjetura nëpër libër përmes vëzhgimeve të shumta nëpër vite udhëtimesh në të pesta kontinentet.

POSTIERI nga Kristi Spahiu

Çarlsi është personazhi kryesor i romanit “Postieri”, profesion gjatë të cilit të duhet të lëvizësh shumë. Edhe vetë jeta e Çarlsit, karakterizohet nga një dinamikë e vrullshme, aspak monotone dhe e mbushur me shumë të papritura. Fëmijëria e shthurur, edukimi në kolegjin “Koshi i Artë”, punësimi pranë postës në një tjetër qytet, rikthimi pranë familjes, drejtimi i organizatës “Posta” dhe ritakimi pas shumë viteve me shokun e ngushtë të fëmijërisë Doni, janë disa nga çastet më të rëndësishme të zhvillimit të jetës së djaloshit hokatar. E gjithë narrativa vjen nëpërmjet rrëfimit të vetë Çarlsit, që duket se është vetë autori. Kristi Spahiu vjen në këtë roman të tretë, i rritur profesionalisht, pas dy romanëve të tij të parë. Me një stil konciz dhe pa shumë zgjatime të lodhshme romani “Postieri” u prit ngrohtë nga lexuesi i ri duke i dhënë një shtysë të mëtejshme autorit në rrugën e gjatë të krijmtarisë.

Top Channel