Dëbimi i diplomatëve iranianë, ish-ambasadori Nesho: Fund politikës momentale pa vizion afatgjatë

20/12/2018 15:58

Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit dhe një diplomat tjetër iranian, për shkak të cënimit të sigurisë kombëtare. Ngjarja e paprecedentë pritet të prodhojë pasoja në marrëdhëniet mes dy vendeve, por ajo është edhe një përvijuese e qartë e aleancës politike me Uashingtonin dhe marrëdhëniet tepër të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë ngjarje sensitive sa i përket aspektit politik dhe diplomatik, i ftuari i kësaj të enjteje në studion e emisionit “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja ishte ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Agim Nesho.

Por çfarë domethënie ka ky akt që ndërmori Shqipëria, sipas ish-ambasadorit Nesho?

“Ne dimë vetëm aktin, të cilin e mendojmë si të drejtë. Kjo, sepse vet regjimi i Iranit eksporton terrorizëm. Megjithatë, ne nuk dimë fakte konkrete, ndërkohë që shtypi i huaj raporton se ngjarja ka të bëjë me aktivitetet terroriste të planifikuara gjatë zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Izrael në Shkodër. Ata mund të kenë edhe dokumente të tjera. Por mendoj se politika e Shqipërisë ndaj regjimit të ajatollahëve të Iranit duhej të ishte ridimensionuar me kohë. Ai është një regjim që ka një rol të caktuar, që prodhon kriza në Lindjen e Mesme, një regjim antiperëndimor dhe antiamerikan, i vetmi regjim në botë që është shprehur ‘vdekje amerikanëve’ kudo janë. Në këtë kuptim, marrëdhëniet që ka Shqipëria me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri kryesor, dhe me një regjim të tillë ekstremisht kundërshtar janë të papërputhshme. Këto gjëra i kemi thënë me kohë dhe më vjen mirë që politika shqiptare ka reaguar. Sigurisht që është një akt ekstrem, sepse jo vetëm flet për aktin që mund të ketë ndodhur nga lëvizjet përkrahëse të terrorizmit në Europë, por flet për një ridimensionim të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Iranit. Heqja e një ambasadori është akt ekstrem në diplomaci, sepse figura e ambasadorit nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet midis dy vendeve”, u shpreh Nesho.

Ambasadori u dëbua, ndërsa tani lind pyetja: çfarë mund të prodhojë largimi i tij sa u përket marrëdhënieve dypalëshe?

“Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve do të ridimensionohen, ndoshta do të kalojnë në një nivel më të ulët, ose edhe mund të prishen”, tha ish-ambasadori ynë në OKB.

Sjellim gjithashtu në vëmendje reagimin e Ministrisë së Jashtme iraniane, që e ka quajtur aktin e Shqipërisë si një akt vasaliteti të SHBA-ve dhe Izraelit mbi Shqipërinë…

“Ata kanë qëndrimet e tyre, ne mendojmë që ky është një akt i drejtë, i cili duhej të ishte reflektuar edhe më herët. Ngjarja ka kohë që është tentuar të zhvillohet. Duket se politika e jashtme e Shqipërisë ende nuk respekton dot linjat kryesore, se ku duhet të pozicionohet Shqipëria si një vend demokratik perëndimor, që përputhet me aksin euroatlantik. Kam parasysh që kjo politikë që prodhohet, të mos jetë një politikë që prodhon vetëm reagime Tëitteri, por një politikë në shërbim të interesave të Shqipërisë, zhvillimit të saj, integrimit të mëtejshëm në Bashkimin Europian dhe NATO. E them këtë sepse ka disa mospërputhje edhe më të mëdha. Ndaj mendoj se realizimi i këtij akti ekstrem ka të bëjë edhe me presionin ndërkombëtar. Disa mund ta lidhin edhe me mosardhjen e kryeministrit izraelit, Netanyahu, kur çështjet ishin shtruar në tavolinë, ngjarjet ishin shumë të qarta, por Shqipëria nuk kishte vepruar. Së dyti, ishte nga një veprimtari pa bosht e politikës së jashtme shqiptare. Për shembull, ne kemi votuar kundër veprimit sovran të Kongresit amerikan për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, u jemi bashkuar vendeve islamike si Turqia dhe Jemeni në një rezolutë, pavarësisht se u përpoqëm ta shpjegonim këtë. Ky ishte një akt që tregon dyzim dhe pavendosmëri në politikën tonë të jashtme. Të gjitha këto tregojnë që arritëm në këtë akt ekstrem. Ndoshta ky është një reflektim i mirë dhe e përgëzojmë këtë”, tha ish-ambasadori shqiptar në OKB.

A mund të quhet në këtë pikë si një akt kompensimi? SHBA e kanë përshëndetur këtë akt në vetvete.

“Ata përshëndesin çdo akt që shkon në përputhje me politikat e tyre të jashtme. Kjo tregon se Shqipëria duhet të ketë një politikë të jashtme sovrane, në interes dhe në bashkëveprim me interesat e partnerëve tanë strategjikë. Kemi pasur devijime të ndryshme, një politikë shumë amatoreske, pasi në shumë raste kemi vepruar në bazë të interesave të momentit, duke i shërbyer politikës së partnerëve ballkanikë, siç ishte rasti i presionit të Turqisë”, deklaron Agim Nesho.

Me këtë ai nënkupton se duhet një vizion më afatgjatë në konceptin e politikës së jashtme.

Në përgjigjet e Neshos u përmend paksa raporti diplomatik midis Uashingtonit e Brukselit. Ndalemi këtu, pasi ka dy qëndrime të ndryshme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një qëndrim të ashpër ndaj Iranit, duke dalë edhe nga marrëveshja bërthamore me Iranin; ndërsa vendet kryesore të Bashkimit Europian, si Gjermania e Franca i mbeten mendimit që traktati duhet mbajtur në fuqi, pasi ka prodhuar efekte në raport me Iranin.

A do të krijojë ky lloj qëndrimi i ndryshëm midis Brukselit dhe Uashingtonit, raporte problematike diplomatike dhe politike për Shqipërinë?

“Sigurisht, por procesi që ka Shqipëria me BE-në është shumë kompleks. Ne jemi në rrugë e sipër për të merituar hapjen e negociatave për anëtarësim, pasi kemi fituar statusin e vendit kandidat, që duket gjithsesi shumë e vështirë. Ky problem, që deri tani justifikonte të gjithë politikën e jashtme shqiptare, kam parasysh këtu deklaratat e ministrit Bushati dhe kryeministrit Rama për veprimet e deritanishme klienteliste që ka bërë politika e jashtme e Shqipërisë; dua të them që ata e kanë bazuar politikën e jashtme brenda interesave të Bashkimit Europian. Tani kemi një rikorrigjim, që tregon se interesat e Shqipërisë në mënyrë natyrale bashkohen edhe me interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë kemi një ndryshim të politikës së jashtme, duke ditur që Uashingtoni, në mënyrë prioritare që me ardhjen e administratës ‘Trump’ e ka vendosur si një nga fuqitë e këqija regjimin e Iranit, duke kërkuar gjithmonë që të çmontohet. Uashingtoni mendon se politika e Iranit është një politikë ekstremiste që e përdor marrëveshjen bërthamore për arsyet e saj dhe për të prodhuar në të ardhmen armët bërthamore, duke u bërë një rrezik jo vetëm për Lindjen e Mesme, por për të gjithë njerëzimin”, shprehet ish-ambasadori Nesho.

Sipas Neshos, deri tani Shqipëria ka justifikuar të gjitha veprimet e saj të politikës së jashtme sikur i bashkëngjitet Bashkimit Europian. “Por këtu kemi një kthesë, duke arritur në një politikë më realiste, po të marrim parasysh se ka edhe një politikë të SHBA-ve, si fuqia më e madhe demokratike dhe mbrojtëse e interesave shqiptare”, tha ai. Më tej theksoi se mbetet për t’u parë nëse ky akt do të thotë edhe një “shkëputje nga interesat e tjera konjukturale, sidomos sa i përket marrëdhënieve me Turqinë”.

Për t’u ndalur tashmë te Kosova. Për koinçidencë, qëndrimet e Tiranës dhe Prishtinës janë me sytë nga Uashingtoni, me këtë të fundit që përshëndeti krijimin e ushtrisë së Kosovës së fundi, një akt që i jep më shumë formë shtetit të Kosovës. Ndërkohë, ka një hezitim të Bashkimit Europian dhe të NATO-s për krijimin e ushtrisë së Kosovës, përballë një Uashingtoni që është shprehur hapur në qëndrimin e tij, që e mbështet krijimin e saj.

“NATO është një aleancë që i përmbledh të gjitha shtetet anëtare të saj dhe mban një qëndrim më të ekuilibruar ndaj diçkaje që është e drejtë e Kosovës. Nuk mund të ketë shtet në ecurinë e tij, i cili nuk do të prodhojë të gjitha institucionet kushtetuese, që nuk del jashtë Kushtetutës të Kosovës ose aktit të themelimit të kësaj Republike, paktit të Ahtisaarit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin sepse janë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë, bashkë me Perëndimin në krijimin e këtij modeli në zemër të Europës, që është Republika e Kosovës. E gjitha kjo është një fitore jo vetëm e shpirtit vetëvendosës të popullit shqiptar për të korrigjuar padrejtësitë historike, por edhe akt i Perëndimit. Si i tillë, SHBA-të nuk mund të tërhiqen, as mund ta negociojnë përsëri diçka që ka marrë fund si proces historik. Është krijuar Republika e Kosovës!”, u shpreh ish-ambasadori shqiptar në OKB, Agim Nesho.

Top Channel