Blendi Shkëmbi ka mposhtur Orges Shehin në përballjen e dytë mes të dyve si trajnerë, ndërsa këtë herë Teuta ka marrë pikët maksimale përballë Skënderbeut, në sfidën e luajtur në qytetin e Korçës.

Durrsakët e nisën mjaft mirë takimin dhe iu afruan disa herë rrezikshëm portës së mbrojtur nga Teqja, ndërsa në minutën e 30 arritën të gjejnë edhe golin me anë të sulmuesit Sekou Kamara.

Goli i Teutës zgjoi të besuarit e Shehit, që u hodhën në sulm, në kërkim të barazimit, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë fituan një 11-metërsh me anë të mesfushorit Gjergji Muzaka, i cili pësoi një ndërhyrje nga prapa, nga mesfushori Beqja. Ky i fundit u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë durrsakët me 10 futbollistë, ndërsa penalltinë çuditërisht e mori përsipër mbrojtësi i Kosovës, Fidan Aliti, i cili gjuajti lehtë dhe në qendër, duke ia dorëzuar topin portierit Isli Hidi.

Pjesa e dytë u luajt vetëm në gjysmëfushën e Teutës, me Skënderbeun që krijoi një mori rastesh për të barazuar, por herë për shkak të pasaktësisë së sulmuesve korçarë, herë për meritë të Hidit e herë për mungesë të fatit, topi nuk përfundoi në rrjetë.

Me këtë fitore, Teuta kthehet në vendin e tretë, me 28 pikë, ndërsa lë Skënderbeun në vendin e dytë, por tashmë sërish me 4 pikë më pak se Partizani kryesues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA