“Supreme” apo “Extreme”? Trump gjen ‘argëtim’ të ri, propozon ndryshimin e emrit të Inteligjencës Artificiale

19/09/2026 22:16

Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur në diskutim ndryshimin e emrit “Artificial Intelligence” (AI), duke u kërkuar përdoruesve të votojnë për një emërtim të ri për teknologjinë që ai e konsideron një nga zhvillimet më të rëndësishme të kohëve të fundit.

Në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump shkroi se shumë njerëz e konsiderojnë termin “Artificial Intelligence” të pasaktë dhe jo elegant. Si alternativa, ai sugjeroi “Superior Intelligence” (SI), “Extreme Intelligence” (EI) ose “Supreme Intelligence” (SI).

Trump i ftoi përdoruesit të votojnë se cili prej emërtimeve do të ishte më i përshtatshmi për atë që ai e përshkroi si një “revolucion” në zhvillim.

Propozimi vjen në një moment kur administrata Trump po ndërmerr hapa të rinj në lidhje me zhvillimin dhe mbikëqyrjen e inteligjencës artificiale. Të shtunën, presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se synon të krijojë një “AI Force”, të ngjashme me “Space Force”, si dhe të emërojë një këshilltar të ri presidencial për inteligjencën artificiale, të njohur si “AI czar”.

Sipas Reuters, Trump nuk dha detaje se si do të funksionojnë këto struktura të reja apo cilat do të jenë kompetencat e tyre. Njoftimet vijnë ndërsa në SHBA është shtuar debati mbi rreziqet e inteligjencës artificiale dhe mënyrën se si duhet të mbikëqyret zhvillimi i saj.

Më herët, në dhjetor 2025, Trump kishte përmendur gjithashtu mundësinë që AI të quhej “Supreme Intelligence”, duke thënë se gjithmonë kishte menduar se ky do të ishte një emërtim më i përshtatshëm.

Top Channel