“Shkolla, qendër komunitare”, Veliaj e Majko përurojnë palestrën e “Dëshmorët e Lirisë”

25/11/2018 12:36

Erion Veliaj dhe ministri për Diasporën, Pandeli Majko, kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e çeljes së dyerve të palestrës së re të shkollës “Dëshmorët e Lirisë”, në Njësinë Nr. 5 të Tiranës, me kryebashkiakun që ka ftuar jo vetëm nxënësit e saj pas orarit të mësimit, por edhe të rinjtë e njësisë të merren me sport, si mënyra më e mirë për të pasur një jetë më të shëndetshme.

Projekti është vijim i nismës “Shkolla, Qendër Komunitare”, ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku dhe ministri Majko theksuan se palestra e rikonstruktuar e shkollës është një ftesë për çdo të ri dhe re që të heqë dorë nga jeta sedentare dhe të merret me aktivitete sportive.

“Më parë rregulli ka qenë ‘Mësimi fillonte në orën 8:00 dhe mbaronte në 13:30, e pas kësaj shkolla ishte bosh’. Tani e kemi ndryshuar rregullin, duke futur konceptin e shkollës si qendër komunitare, ndaj duam që shkolla të ketë frymë njeriu, të jetë e mbushur me nxënës, fëmijë dhe sportistë të ardhshëm, çdo pasdite. Kjo është një nga 62 shkollat, e cila qëndron e hapur edhe pas mësimit, ku po të njëjtët nxënës apo edhe nxënës të tjerë nga komuniteti kanë mundësi të përdorin terrenet sportive. Palestrën këtu e përdorim kryesisht për volejboll, basketboll, taekëondo. Disa nga klasat do t’i përdorim për kurse shahu, ndërsa pjesa e fushës jashtë është për futboll”, tha Veliaj.

Ai theksoi se palestrat dhe mjediset e tjera të shkollës ofrojnë mundësi për çdo kategori apo disiplinë sportive, ndaj tha se është e rëndësishme që fëmijët dhe nxënësit të regjistrohen në kurset e hapura. Kryebashkiaku theksoi faktin se, rikonstruksioni i shkollës dhe i palestrës tregoi edhe njëherë se Tirana është si një familje e madhe, ku të gjithë kontribuojnë për ta bërë atë më të mirë.

Veliaj ftoi të rinjtë të bëhen pjesë dhe të mbështesin dy nismat e tjera të Bashkisë së Tiranës, atë për të festuar festat kombëtare të nëntorit, duke nxjerrë nga një flamur në ballkonin e shtëpisë, si dhe duke mbjellë qoftë edhe një pemë.

“Dua t’iu kërkoj një nder: Së pari, dua që për festat e Nëntorit secili të nxjerrë në ballkonin ose në dritaren e tij një flamur për të festuar festat. Imagjinoni nëse e bëjmë këtë në të gjitha njësitë e Tiranës. Atëherë, përveç bashkisë, i gjithë qyteti do të jetë i dekoruar shumë bukur me flamujt kuqezi. Së dyti, dua që secili prej jush, përpara se të mbarojë dimri të mbjellë një pemë. Mund ta mbjellë një pemë për ditëlindje, mund ta mbjellë një pemë për gjyshin ose gjyshen, mund ta mbjellë një pemë për qejf, për një festë ose për të kujtuar një ceremoni, por nëse nxënësit e Tiranës do të mbjellin nga një pemë secili, do të kemi më shumë sesa 100 mijë pemë në Tiranë. Po të kemi 100 mijë pemë çdo vit në Tiranë do të kemi një nga qytetet më të gjelbërta që kemi pasur ndonjëherë”, tha Veliaj.

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko vlerësoi nismën për të hapur palestrat dhe shkollat për komunitetin pas orarit të mësimit, e u shpreh se duke u marrë me sport, fëmijët e Tiranës do të bëhen qytetarë më të mirë nesër.

Top Channel