Kanë kaluar disa ditë nga protesta studentore kundër ndotjes mjedisore në Porto Romano, por situata mbetet e njëjtë.
Mbetjet urbane vazhdojnë të depozitohen dhe digjen në vendgrumbullimin e tyre në Porto Romano, ndërsa tymi toksik që qëndron pezull mbi zonë, i ndihmuar edhe nga era, përhapet mbi lagjet e afërta të banuara, korpusin universitar dhe më tej në qytetin e Durrësit.
Lopët dhe derrat, produktet e qumështit të të cilave dhe mishi përfundojnë në tryezat tona, kullosin të qeta në këtë mjedis toksik, ndërsa banorët janë të detyruar të bashkëjetojnë me të deri në zgjidhjen e problemit.
Banorët shprehen se do të përshkallëzojnë protestën e tyre me veprime konkrete deri në bllokim rruge, pasi jo vetëm shëndetin, por ndotja mjedisore ka marrë dhe merr jetë njerëzore.
“U bënë 3-4 ditë nga protesta dhe nuk është marrë asnjë masë për të ndërprerë tymin që rrezikon shëndetin e fëmijëve, të rinjve dhe ka pasur edhe vdekje nga ambienti. Të vihet të shuhen zjarret e të mos hidhen mbetjet, ndryshe do të përshkallëzohen protestat. Do të dalim para bashkisë dhe do të bllokojmë dhe rrugën”, thotë një banor.
Banorët ankohen edhe për veprimtarinë e disa subjekteve të tjera që, sipas tyre, nuk përdorin teknologjinë më të fundit për të shmangur ndotjet, poe e dëmtojnë dhe më tej mjedisin.
Pas protestës studentore, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, me një reagim në rrjetin social Facebook bëri të ditur se janë ndërmarrë hapa për të zgjidhur situatën pas shpalljes së emergjencës mjedisore, por pa dhënë afat konkret se kur do të ndërpresë funksionimin ky vendgrumbullim që është jashtë çdo standardi për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve.
Top Channel