Nga 1 tetori, kodi i autentikimit në e-Albania edhe në Viber dhe WhatsApp
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka reaguar pas akuzave të opozitës lidhur me rastin e qytetarit Albi Sula.
Në një postim në llogarinë e saj në Facebook, duke publikuar edhe një foto nga takimi me të dhe nënën e tij.
Spahiu thotë se e ka pritur personalisht qytetarin në zyrë dhe se rasti i tij është ndjekur nga strukturat shëndetësore, ndërsa ka sqaruar se ai është referuar për trajtim të mëtejshëm në Turqi.
Ministrja i cilësoi pretendimet e opozitës si të papërputhshme me faktet dhe theksoi se problemet shëndetësore nuk duhet të përdoren për akuza politike.
Postimi i plotë i Klodiana Spahiut:
E vërteta e dyerve të hapura
Qytetari në foto është Albi Sula. Së bashku me nënën e tij, e prita dje personalisht në zyrën time.
E dëgjova me vëmendje për problematikën e tij shëndetësore dhe rrugëtimin e vështirë të trajtimit. Sqaruam hap pas hapi ndjekjen e rastit nga strukturat shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si edhe hapat që do të vijojnë.
Përballë disa pretendimeve të bëra publikisht nga opozita, faktet janë të qarta:
Qytetari për të cilin pretendohet se nuk është pritur, ka qenë dje në zyrën time, përballë meje dhe nënës së tij.
Ai është trajtuar dhe ndjekur nga mjekët e Spitalit Onkologjik në QSUT, sipas nevojave dhe protokolleve mjekësore.
Në zbatim të procedurave administrative dhe kontratës me spitalin përkatës, rasti i tij është referuar për ndjekje të mëtejshme në Turqi.
Të bësh politikë është legjitime. Të kritikosh është e drejtë. Por një problem shëndetësor nuk duhet të kthehet në mjet për të ndërtuar një akuzë që nuk përputhet me faktet.
Për mua, përpara çdo debati politik është qytetari dhe halli i tij.
Dyert e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale janë dhe do të mbeten të hapura. Për të dëgjuar, për të sqaruar dhe, aty ku është e mundur, për të gjetur zgjidhje.
Sepse Prania Besnike nuk është slogan. Është përgjegjësi ndaj qytetarit.
Top Channel