Menaxhimi i mbetjeve urbane në qytetin e Bulqizës mbetet një problem që kërkon zgjidhje.
Ndër vite, zona e vendgrumbullimit është Qafa e Buallit, ku mbetjet hidhen në anë të rrugës që çon te galeritë e minierës së kromit, duke vështirësuar edhe lëvizjen e automjeteve në këtë aks.
Erërat e forta në Qafën e Buallit i shpërndajnë këto mbetje në të gjithë zonën përreth, së bashku me tymin që prodhohet në shumë raste nga djegia e tyre, sidomos në muajt e verës.
Drejtuesit e automjeteve dhe banorët shprehen të shqetësuar nga situata e rëndë, që është krijuar si pasojë e djegies së mbeturinave. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për zgjidhje.
Në mes të ndotjes e kaosit, ka dhe nga ata banorë që për të mbijetuar detyrohen të mbledhin mbetje plastike për t’i shitur më pas.
Top Channel