Jeta dhe karriera e Lionel Messit nuk do të jetë e pasqyruar vetëm në një film dokumentar, por do të jetë edhe subjekt i një spektakli akrobatik.
Sulmuesi argjentinas i Barcelonës ka arritur një marrëveshje me të famshmin “Cirque du Soleil”, që në vitin 2019 do të shfaqë spektaklin e tij të ri, pikërisht duke u bazuar te jeta e kapitenit të skuadrës katalanase.
Lajmin e bëri të ditur vet Messi, nëpërmjet një postimi të tij në rrjetet sociale.
“Duket e pabesueshme, por ‘Cirque du Soleil’ do të tregojë jetën time. Nuk kam dyshim, që ata do të arrijnë ta befasojnë publikun, siç kanë bërë gjithnjë”, ishin fjalët e Messit.
Materialet nga jeta e Messit për “Cirque du Soleil” nuk mungojnë. Projekti është në bashkëpunim me “Sony Music” dhe u prezantua nga presidenti i “Cirque”, Jonathan Tetrault.
“Jemi të bindur se, duke sjellë në skenë jetën e Messit do të jemi në gjendje të flasim për futbollin me publikun, duke i kaluar kufijtë sportivë, për ta prezantuar në një formë që mund të frymëzojë botën”, tha ai.
Top Channel