Gjergj Bojaxhi rrëfehet si rrallëherë: Pse lashë qytetin për jetën si fermer, bukën e bëj me grurin që mbjell vetë

11/09/2026 12:29

Gjergj Bojaxhi, i ftuar këtë të premte në emisionin “Në Shtëpinë Tonë” me Alban Musën, bëri një intervistë personale, ku ndau për publikun detaje nga jeta e tij, arsyet pse vendosi të braktisë qytetin për fshatin dhe kënaqësinë që i jep ndjesia e të qënit fermer.

Bojaxhi tregon se jeta në fshat i sjell qetësi dhe rrëfen se si lidhja e fortë me natyrën ka ndikuar tek ai.

“Nuk lëvizet nga qyteti në fshat pa rënë dakord familja. Kur jam rikthyer nga Amerika, nuk më ka pëlqyer mënyra sesi ishte Tirana. Kam shkuar në male që shumë herët dhe jam i apasionuar pas natyrës”, u shpreh ai.

Bojaxhi foli edhe për pasionin e tij për bukën artizanale, duke treguar se prej 25 vitesh e përgatit vetë bukën në shtëpi.

“Që kur kam qenë në Amerikë e bëj vetë bukën. Brumin e lë për 48 orë të pushojë. Buka nuk është më në Shqipëri si dikur. Edhe në restorant e marr bukën me vete”, tha ai.

I pyetur nëse i mungon jeta në qytet, Bojaxhi u përgjigj se ajo që i mungon më shumë janë njerëzit dhe takimet.

“Më merr malli më shumë për takimet me shokë dhe për takimet e punës”, tha ai.

Ndër të tjera, ai foli edhe për familjen dhe momentet më të veçanta të jetës së tij si prind.

“Djalit ia kam prerë vetë kërthizën në momentin që erdhi në jetë”, rrëfeu Bojaxhi, duke ndarë një kujtim të rrallë dhe emocional nga dita e lindjes së të birit.

Ndër të tjera Gjergji u ndal te sfidat e rritjes së fëmijëve në Shqipëri.

Sipas tij, është e vështirë të rrisësh një fëmijë në vend, ndërsa shtoi se shpesh njerëzit përballen me vështirësi të shumta për të ecur përpara. “Në Shqipëri duhet të jesh maskara për të ecur para”, u shpreh ndër të tjera Gjergji.

Top Channel