Reali i Madridit ka regjistruar 4 humbje në 11 ndeshjet e para të këtij sezoni, diçka që nuk e shihnim që nga sezoni 2005-2006. Tashmë, skuadra “merengues” është në telashe të mëdha.
Pas kthimit nga Vitoria në përfundim të ndeshjes me Alavesin, presidenti i Realit të Madridit dhe Jose Angel Sanchez zhvilluan një sërë bisedash telefonike dhe tema e diskutimit ishte pikërisht trajneri Julen Lopetegui.
Drejtuesit e lartë të Realit të Madridit e dinë shumë mirë që nuk është momenti për të ndryshuar trajner, por gjithsesi ata nuk duan të jenë të papërgatitur dhe po mendojnë për perspektivën, duke vendosur edhe një afat për Lopeteguin.
Trajneri ka afat që të ndryshojë situatën deri më 28 tetor, kur do të luhet “El Clasico” me Barcelonën në “Camp Nou”. Para kësaj sfide, Realin e presin dy ndeshje të lehta në letër, me Levanten dhe Viktoria Plzen, të dyja në “Santiago Bernabeu”, fitore që mund t’i japin oksigjen Lopeteguit. Por, një humbje në “Camp Nou” përballë katalanasve, me shumë gjasa do ta shkarkojë atë nga detyra.
Por, te Reali i Madridit ka edhe një problem tjetër dhe protagonist është pikërisht Lopetegui. Trajneri duket se ka raporte të ftohura me Luka Modriç, që mund edhe të jetë penduar që nuk këmbënguli sa duhet për të lënë Realin e Madridit.
Sipas “Don Balon”, kroati ka pasur një përplasje me Lopeteguin me këtë të fundit që po e lë shpesh në stol Modriçin, në mënyrë që kroati të rifitojë sa më shumë energji. Në 11 ndeshjet e para, Modriç i ka nisur nga stoli 4 ndeshje, ndërsa në 5 sfida të tjera është zëvendësuar.
Interi po e monitoron situatën, por është e vështirë të flitet për një tjetër tentativë të zikaltërve për Modriçin, duke parë problemet e krijuara në raportet me Realin pas denoncimit nga Perez në FIFA të klubit milanez.
Top Channel