“Jo në emrin tim”/ Nata e pestë e protestës kundër vendimit të Hagës në Prishtinë, veterani Bekim Shyti: Liderët e UÇK-së janë dënuar padrejtësisht

20/09/2026 22:51

Në Prishtinë, për të pestën natë me radhë ka vazhduar protesta kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Siç raporotn korrespondentja e Top Channel, Leonita Bajrami, protestuesit shpalosën flamur kombëtar me emblemën e UÇK-së, derisa brohorisnin “jo në emrin tim”.

Para mijëra protestuesve foli veterani i luftës Bekim Shyti që e quajti aktgjykimin padrejtësi.

“Sot kemi gjithandej varreza të dëshmorëve, e kemi lirinë, por liria erdhi nga këta vizionarë, nga këta trima dhe burrështetas, sepse këta kishin guximin dhe vizionin që të formojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Shyti.

Pjesë e protestës të dielën ishte edhe këngëtari Ledri Vula i cili shprehi mirënjohjen për katërshen e UÇK-së.

“Një falënderim për luftën që e kanë bërë këta njerëz të mëdhenj, që sot padrejtësisht janë dënuar. Faleminderit të gjithëve që keni ardhur”, tha Vula.

Të dielën në kundërshtim të vendimit të Speciales u protestua edhe në Shtime.

Diaspora, po ashtu ka vazhduar me protestat dhe kërkesat për drejtësi për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të dielën është protestuar edhe në Vjenë të Austrisë e Triestë të Italisë.

Të hënën, në Prishtinë kanë paralajmëruar protestë studentët e universiteteve të Kosovës.

Më 16 shtator Gjukata Speciale dënoi me 81 vjet burgim për krime lufte së bashku Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Top Channel