Misër dhe plehra! Në Berat, arat mbillen pranë fushës së mbetjeve

26/09/2018 10:41

Mbjelljet e vjeshtës kanë nisur në një arë pranë Beratit, ku bujku punon tokën, ndërsa makina e plehrave depoziton si çdo ditë mbetjet.

Shumë pranë zonës së banuar, jo shumë larg mjediseve të një shkolle jo publike dhe buzë lumit Osum ndodhet fusha e depozitimit të mbetjeve urbane të qytetit të Beratit.

Jashtë çdo norme mjedisore, në këtë vend mblidhen prej vitesh të gjitha plehrat e qytetit, ku herë pas here u vihet edhe zjarri.

Problemit të menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë e Beratit iu shtua edhe bashkimi i disa ish-komunave me ndarjen e re administrativo-territoriale.

Në këtë institucion, e vetmja zgjidhje pritet nga zbatimi i një projekti që financohet nga qeveria zvicerane.

Në Bashkinë e Beratit nuk kanë asgjë të re për të thënë, sa herë ngrihet shqetësimi i plehrave. Refreni i projekteve në pritje përsëritet sa herë dikush kujtohet të flasë për vendgrumbullimin.

Deri në një zgjidhje që vjen nga zyrat, banorët që kanë shtëpitë pranë fushës dhe ata që konsumojnë produkte nga kjo tokë bujqësore do të jetojnë me pasojat e tymit dhe substancave të rrezikshme.

Top Channel