Në radhë për te mjeku. Të moshuarit dalin që në 4 të mëngjesit

17/09/2018 20:35

Që në orën 6 të mëngjesit në Poliklinikën Qendore të Fierit pacientët vendosen në radhë. Disa prej tyre kanë ardhur që në orën 4:30. Ata kanë ardhur për të kryer vizitën pranë mjekut specialit osë për të bërë analizat. Është mjeku i familjes ai që vendos për datën dhe orën e vizitës. Më pas, pacienti duhet të paraqitet pranë poliklinikës për të marë në recepsion numrin e radhës së vizitës. Pikërisht një gjë e tillë ka bërë që qytetarët të vendosen në radhë që në orët e para të mëngjesit.

Sipas pacientëve po nuk more numrat e parë në recepsion, rrezikon të humbasësh shërbimin mjekësor. Për këtë arsye, në recepsion nuk mungojnë konfliktet midis tyre.

“Në orën 4 kam qenë këtu. Tani presim kur të marrim numër, do rreshtohemi, por pastaj bëhet lëmsh këtu”, thotë një pacient.

“Po të vij në orën 8:00, nuk të njeh më njeri në radhë”, shprehet një pacient tjetër.

“Shtyhen njerëzit se po kaloi ora 8:00, kur ma kanë caktuar vizitën, doktori nuk të pranon më”, thotë një paciente.

Ndërsa, sipas shefes së shërbimit, Genta Gjni, qytetarët nuk kanë përse të paraqiten në poliklinikë që në orët e para të mëngjesit, pasi orari dhe data e vizitës është përcaktuar nga mjeku i familjes dhe pacienti nuk ka se si të humbasë mundësinë për tu vizituar pranë qendrës.

”Në varësi të fashës duhet të paraqitet edhe pacienti. Për shembull, nëse fasha është 8-10, është normale që pacienti të paraqitet rreth orës 8:00, të tërheqin numrin përkatës në recepsion dhe kalojnë tek specialisti. Ky është një numer që përcakton numrin e vizitës pranë specialistit, jo numrin 4 për të marrë shërbimin në poliklinikë”, shpjegon Gjini.

Top Channel