Miniera pranë banesave, AKBN rijep lejen për vazhdimin e punës

30/08/2018 15:55

Pavarësisht protestës së banorëve të fshatit Memelisht, në Pogradec, për të ndaluar aktivitetin e shfrytëzimit të minierës, firma Delta Star ka nisur punimet në galerinë e cila ndodhet vetëm 48 metra larg banesave.

Administratori i firmës, Edison Balla thotë se banorëve u është ofruar garanci për dëmtimet e mundshme, por edhe polica sigurimi.

“Gjatë punimeve kemi hasur në ndërtime në zonën minerare. Ankesat janë shqyrtuar dhe ne i ofrojmë garanci për dëmtime, nëse do të ketë, duke i ofruar polica sigurimi ose kontratë marrëveshje me bashkinë. Takimet janë ezauruar, edhe pse s’i kemi pas detyrim ligjor”, shprehet Administratori i kompanisë.

Balla thotë se nuk ka dëmtime siç pretendojnë banorët dhe se shqetësimit të tyre pak muaj më parë i është përgjigjur Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, e cila ka pezulluar aktivitetin e firmës dhe ka kryer një verifikim.

Pas verifikimit kjo agjenci ka riautorizuar firmën që të vazhdojë aktivitetin e saj për nxjerrjen e mineralit.

Të mërkurën, 25 familje në fshatin Memelisht protestuan dhe disa prej tyre u përleshen fizikisht me efektivë të forcave të rendit.

Top Channel