20 prej 150 refugjatëve afrikanë që u bllokuan në Itali, të cilët do të strehohen në Shqipëri, ende nuk kanë mbërritur në vendin tonë.

Procedurat për ardhjen e tyre do të marrin edhe disa ditë kohë dhe sipas autoriteteve ata do të dërgohen në një nga qëndrat pritëse të azilkërkuesve në Babrru ose Karrec.

Ministria e Jashtme ia bëri ofertën Italisë pak ditë më parë dhe ajo u mirëprit. Por, procedura do të ngjitet nga Ministria e Brendshme.

Ndërkohë, në Shqipëri thuajse çdo ditë mbërrijnë emigrantë nga vendet e luftës.

“Jam Muhamedi nga Siria dhe kam 5 ditë që kam ardhur në Shqipëri, nga Greqia. Dua të shkoj në Gjermani sepse atje kam gjithë familjen”, thotë emigranti.

Në qendrën pritëse të azilkërkuesve qëndron edhe një shtetas me nacionalitet të veçantë. Jevgenei është një ukrainas nga Krimea, që pretendon se është i persekutuar nga Rusia: “Kam pothuajse 2 vjet këtu. Hasa disa probleme në fillim me pasaportën, por tani jam stabilizuar. Nuk kam bërë kërkesë për azil. Dëshiroj të shkoj në Amerikë”.

Në Shqipëri emigrantët në qendrat e azilkërkuesve bëjnë jetë të lirë dhe gjatë ditës mund të lëvizin. Shumica e tyre nuk kanë qëllim të qëndrojnë dhe e cilësojnë vendin tonë një trampolinë për të kaluar në vendet e Bashkimit Europian.

Top Channel