Kujdesi për dhëmbët te fëmijët, depistimet zbulojnë më shumë fëmijë me karies dhe higjienë të dobët Gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë të porsalindur nuk do të detyrohen më që të enden nëpër zyrat e shtetit për të përfituar pagesën e barrëlindjes.
Përmes një shkrese zyrtare, ministri i Financave, Arben Ahmetaj i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që i gjithë procesi i përfitimit të barrëlindjes të kalojë në mënyrë elektronike, pa patur nevojë që përfitueset të paraqiten fizikisht në zyrat e shtetit.
Aktualisht, përfitimi i barrëlindjes është një procedurë e ngarkuar burokratike që detyron gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë që të sorrollaten nëpër shumë institucione, si dhe të presin radhë të gjata nëpër sportelet e shtetit.
Përkatësisht, për të përfituar pagesën e barrëlindjes nënat me fëmijë janë të detyruara që çdo muaj të marrin një raport në konsultore, të cilin duhet ta dorëzojnë tek punëdhënësi. Nga ky i fundit ato duhet të marrin listëpagesën, të cilën më pas duhet ta dorëzojnë po fizikisht tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kjo procedurë, përveçse i detyron nënat që sapo kanë lindur apo gratë shtatzëna që të enden në disa institucione, vonon edhe marrjen e pagesës me disa muaj.
Për këtë arsye, Ministria e Financave i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që çdo dokument i detyrueshëm për përfitimin e barrëlindjes të lëshohet në mënyrë elektronike në të gjithë zinxhirin e institucioneve, nga konsultoret deri tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pa patur nevojë që gratë shtatzëna të paraqiten fizikisht në këto institucione.
Paralelisht, pagesa e barrëlindjes nuk do të kalohet më në llogarinë e punëdhënësit, por do të shkojë direkt në llogarinë personale të grave përfituese. Sipas Ministrisë së Financave, ky lehtësim nga i cili përfitojnë mbi 20 mijë gra në vit është pjesë e reformës rregullatore për thjeshtimin e procedurave për biznesin dhe qytetarët.
Top Channel