Pas katër orësh, u mbyll në Tiranë protesta e shtatë kundër investimit në Zvërnec. Tubimi u zhvillua në sheshin kryesor të kryeqytetit, ku pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektit.
Ata kanë paraqitur edhe më herë pesë kërkesa: Dorëheqjen e qeverisë; Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë; Shfuqizimin e Paketës së Maleve; Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura; Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Më herët gjatë ditës, protesta u mbajt edhe në zonën e Zvërnecit, ndërsa më pas u zhvendos në Tiranë.
Paralelisht protesta u mbajtën edhe në Shkodër, e po ashtu në Athinë.
Korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe, bën me dije se sheshin Sintagma dolën shqiptarë, grekë dhe palestinezë, me pankarta në duar, duke kërkuar anulimin e projektit.
E ndërkohë ditën e sotme ka pasur sërish protesta në diasporë, si në Itali, Gjermani apo në Uashington DC e New York.
Top Channel