Pianisti i pëllumbave; I moshuari që jeton mes muzikës dhe shpendëve

Pianisti i pëllumbave; I moshuari që jeton mes muzikës dhe shpendëve

Çdo mëngjes dhe mbrëmje, për më shumë se 4 vjet, 76-vjeçari Kristo Daku ndalet në një furrë buke. Teksa ecën me qesen me thërrime buke në dorë dhe sytë pyetës, spikat mes qindra fytyrave pa shprehi të njerëzve. Në rrugën e Barrikadave, xha Kriston e presin pëllumbat.

“Po kanë ngelur vetëm… kush do i ushqejë? Gjynah. 2 herë në ditë i ushqej, mëngjes edhe në darkë. Në mëngjes, herë dalin herë jo. Pastaj merrem me ndonjë punë, jo do marr bukën, jo bëj pak pazar, jo dëgjoj pak muzikë.. Bethoven, Moxart”, shprehet ai.

Nga 96’ deri në 2010, Kristo ka qenë pedagog në Akademinë e Arteve. Por, para se të niste karrierën e tij si muzikant, na tregon kthesën e fatit të tij.

“Shkova në lice për konkurs dhe nuk më pranuan se isha pak mbrapa. Duke shkuar deri te dera ato zyshat më thanë ‘Kristo, hajde pak, hajde. Ma nxirr pak dorën’. E panë dorën dhe thanë është dorë pianisti kjo. Pastaj fillova studiova vetë, aq sa isha… 13 vjeç”, tha Kristo Daku.

Pëllumbat flenë herët, tregon 76-vjeçari, ndaj u shtron atyre darkën në orën 18:00. Pianisti njeh përveç notave muzikore, edhe gjuhën e pëllumbave.

“Merren vesh nëpërmjet njëri-tjetrit ata, është specifike. Nuk kanë zë”, thotë ai.

Top Channel