Çdo vit, prej 20 gushtit, në lartësinë 2 000 metra mbi nivelin e detit mblidhen pelegrinët për të shkuar në teqenë më të famshme, atë të Kulmakut, në majën e malit të Tomorrit.

Aty ka lutje dhe festë.

“Mezi e presim këtë ditë. Festojmë çdo vit. Jemi shumë të lumtur dhe Zoti i ndihmoftë shqiptarët kudo që janë”, shprehet një grua.

Ndërsa një vizitor i huaj thotë: “Unë quhem Xhuzep, jam nga Katalonja. Po udhëtojmë me motoçikleta në Shqipëri dhe sot na thanë që ka festë shumë të madhe këtu. Na intereson shumë dhe prandaj u ndalëm”.

Qendra e pelegrinazhit është teqeja e famshme, aty ku besimtarët ndezin qirinj dhe vizitojnë varret e baballarëve.

Përveç lutjeve dhe ndezjes së qirinjve, pjesë e rëndësishme e festës në majën e Malit të Tomorrit është kurbani. Kafshët therren e më pas konsumohen nga besimtarët që qëndrojnë edhe gjatë natës.

Por, për besimtarët therrja e kaq shumë kafshëve në një vend kthehet në problem për shkak të mbetjeve.

“Ujë nuk ka, me çfarë do të punoj? Ku e ke ujin?Ujë për të larë duart nuk kemi”, thotë një kasap.
“Kushtet janë si mos më keq. Janë bllokuar thertoret e Shqipërisë dhe thertore nga më të mirat për punë tenderash dhe shih se çfarë bëhet”, thekson një besimtar.

Pranë teqesë kanë shkuar edhe disa zyrtarë të AKU-së, jo për pelegrinazh, por në tentativë për të vënë rregull në therrjen masive të kafshëve. Ata thonë se situata është nën kontroll, por nga pamjet duket e kundërta.

Megjithatë, në majën e Malit të Tomorrit festa zgjati 5 ditë, mes ushqimit, pijeve dhe këngëve rreth zjarrit.

Top Channel