Përfitimet sociale, shkak për vërshimin e emigrantëve në Gjermani

21/08/2018 19:00

Numri i prindërve që jetojnë në Gjermani, e pretendojnë përfitime për fëmijët e tyre që jetojnë gjetkë, është rritur me 10 për qind këto 6 muajt e fundit, sipas të dhënave qeveritare.

Çështja është kthyer në temë debatesh të nxehta, sidomos në disa qytete të vendit me komunitete të mëdha emigrantësh.

Janë ngritur pretendime se, një nga arsyet që njerëzit vërshojnë atje është për të përfituar prej të mirave sociale të sistemit.

Shteti gjerman paguan 194 euro në muaj për të lindurit e parë dhe të dytë; për fëmijët e tretë kjo shumë shkon në 200 euro dhe 225 euro për të katërtin. Ajo është fikse, pavarësisht të ardhurave familjare, me kushtin e vetëm që prindërit të kenë vendbanim të përhershëm në Gjermani.

Në Turqi merren 45.21 euro për të lindurit e parë, 60.28 për të dytët, e për të tjerët 90.43 euro. Për të siguruar këtë lloj përfitimi, njëri prej prindërve duhet të ketë punuar të paktën 4 muaj.

Asistencën e fëmijëve mund ta sigurojnë edhe turqit që jetojnë në Gjermani e zotërojnë një “kartë blu” të lëshuar nga qeveria turke, por në këtë rast njëri prind duhet të ketë medoemos nënshtetësinë turke.

Britania e Madhe u jep të gjithë prindërve 23.16 euro në javë për të lindurit e parë, e kjo vazhdon derisa fëmija të mbushë 16 vjeç. Për çdo të lindur tjetër, shumës i shtohen 13.70 euro në javë.

Prindërit nga e ashtuquajtura “zonë ekonomike europiane” kanë të drejtën t’i marrin këto pagesa edhe nëse fëmijët nuk jetojnë me ta, nëse përmbushin disa kritere të caktuara. Njëri prej tyre duhet të ketë paguar një sigurim kombëtar dhe, nëse kanë mbërritur në Angli pas 1 korrikut 2014, pa një punë fikse, duhet të punojnë për 3 muaj që të sigurojnë të tilla përfitime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA