Inspektime te “Depoja e Ujit”, Veliaj: Shumë nga 100 kantieret po mbyllen!

19/08/2018 12:36

Në zonën e “Depos së Ujit” në Njësinë numër 2 në Tiranë ka përfunduar shtrimi i dy rrugëve të reja, së bashku me kanalizimet, ndriçimin dhe sinjalistikën.

I shoqëruar nga deputetja e zonës, Vasilika Hysi, kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet në këto dy segmente, që janë zgjatime të rrugëve “Budi” dhe “Mihal Grameno”.

“Kemi qenë këtu fiks një vit më parë, kur filluam punën dhe kjo ka qenë e gjitha një monopat. Në fakt ka qenë monopat që kur kam qenë unë fëmijë dhe rritesha në këtë lagje, e kjo ka qenë pjesë e Ndërmarrjes Bujqësore, e populluar me njerëz që deri dje i quanin shtëpi të palegalizuara, por sot quhen vila të urbanizuara. Pra, diferenca që bën legalizimi dhe urbanizimi e kthen shtëpinë në vilë, do të thotë ulim muret, barrierat, pengesat me njëri-tjetrin. Fakti që sot kanë dalë në dritë edhe shtëpitë, e secili po mundohet me bahçen, stolitë, estetikën e vet, me lyerjen, me mirëmbajtjen, i ka sjellë një hijeshi kësaj zone”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë qendrore për legalizimin e atyre që më parë njiheshin si zona informale, që më pas ndiqet nga ndërhyrja e Bashkisë për urbanizimin e tyre.

Stafi i Bashkisë së Tiranës vijon punën edhe gjatë verës, ndërkohë që sipas kryebashkiakut Veliaj, një pjesë e 100 kantiereve të hapura tashmë kanë nisur të mbyllen.

“Jam shumë i lumtur sot, që edhe pse kemi hapur 100 kantiere në Tiranë, disa kanë filluar të mbyllen. E siç kemi premtuar do të mbyllim shumicën e kantiereve të hapura, përpara se njerëzit të kthehen nga pushimet. Ajo që më vjen mirë është se po kthehen nga pushimet edhe emigrantët, e kush vjen nga Greqia, Italia apo edhe vende të tjera thonë ‘Ej, kjo është një lagje tipike që do ta kishim edhe në një vend europian, me muret e ulëta, me trotuaret, me ndriçimin’”, tha më tej Veliaj.

Deputetja Vasilika Hysi falënderoi në emër të komunitetit të zonës për këtë investim, i cili sipas saj, as nuk mund të mendohej deri pak vite më parë.

FOTO GALERI
3/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA