Opera “Carmen”, produksioni më i madh i TKOB për këtë vit, me pjesëmarrje të artistëve vendas e të huaj, duket se ka qenë edhe më i suksesshmi në kalendarin e shfaqjeve nga janari deri në muajin korrik.
“Premiera e Operas “Carmen” ka patur shitjen më të madhe dhe audiencën më të madhe, por njëkohësisht për sa i përket audiencës edhe turi veror. Ne shkojmë aty ku publiku është, shkojmë për të kryer misionin tonë, por njëkohësisht edhe për t’i tërhequr e për t’i edukuar ata drejt artit klasik”, u shpreh Drejtorja e TKOB, Zana Çela.
Janë rreth 20.000 mijë spektatorë ata që kanë ndjekur këtë vit shfaqjet e TKOB, mes të cilave 3 premiera të Operas dhe Ansmablit Popullor si edhe 16 premiera koncertale.
“Në 7 muajt e parë të këtij viti, Teatri i Operas ka realizuar gjithsej 57 shfaqje, duke rritur me 58% numrin e shfaqjeve, krahasuar kjo me 1 vit më parë, kur realizuam 36 shfaqje. Në shfaqjet tona kanë marrë pjesë 19.359 spektatorë, ose e shprehur ndryshe, 10% më shumë është rritur numri i spektatorëve tanë”, deklaroi Zana Çela.
Çela tha se edhe për sezonin e ardhshëm kalendari artistik është mbyllur dhe se do të jetë i ngjeshur, por ai do të bëhet publik në muajin shtator, pas pushimeve verore.
Top Channel