“Po centralizoni kinematografinë”, Shoqata e Kineastëve “Lumiere” kërkesë për shfuqizimin e pr/ligjit të ri: Cenon të drejtat e autorit
Projektligji i ri për kinematografinë dhe audiovizualin synon tërheqjen e investimeve në sektorin kinematografik dhe audiovizual në vendin tonë përmes skemës së rimbursimit të shpenzimeve (Cash Rebate).
Në projektligj thuhet se do të rimbursohet një përqindje e shpenzimeve të kualifikuara të kryera në Shqipëri gjatë prodhimit të veprave, me qëllim nxitjen e xhirimeve dhe investimeve në Republikën e Shqipërisë. Norma e rimbursimit parashikohet 35% e shpenzimeve të kualifikuara të realizuara në vend. Përfituese të skemës së Rimbursimit të Shpenzimeve janë shtëpitë kinematografike të huaja të cilat kanë marrëveshje bashkëpunimi me shtëpitë kinematografike shqiptare.
Por, për Shoqatën e Kineastëve Shqiptarë “Lumiere”, ky propozim rrezikon të sjellë deformim të tregut lokal, varësi nga prodhimet e huaja oportuniste, rritje artificiale të kostove të tregut dhe dobësim të fondeve për autorët vendas.
“Për këto arsye, kërkojmë që mekanizmi i propozuar i “cash rebate” 35% të rishikohet thellësisht përmes një procesi transparent konsultimi me komunitetin profesional të kinematografisë dhe ekspertëve të ekonomisë kulturore, duke marrë në konsideratë jo vetëm efektet afatshkurtra financiare, por edhe pasojat afatgjata mbi ekosistemin kulturor dhe krijues shqiptar”, thuhet në kerkesën e “Lumiere” për shfuqizimin e projektligjit të ri, dërguar institucioneve.
Sipas shoqatës, një rebate 35% mund të krijojë kërkesë më të madhe sesa kapaciteti real i sektorit.
“Shqipëria aktualisht ka ekipe teknike relativisht të vogla, mungesë studiosh të mëdha, mungesë laboratorësh, mungesë strukturash insurance, mungesë producentësh ekzekutivë me eksperiencë ndërkombëtare. Rezultati: shumë funksione do importoheshin nga jashtë”.
Kineastët pretendojnë se një pjesë e madhe e subvencionit do dilte sërish jashtë Shqipërisë.
Me letrën që mban datën 5 qershor dhe firmën e kryeyarit të SHKSHL, Joni Shanaj drejtuar kryeministrit Edi Rama, kryeparlamentarit Niko Peleshi, ministrit të Financave Petrit Malaj, ministrit të Turizmit Kulturës dhe Sportit, Blendi Goxhe dhe kryetares së Komisionit të Kulturës, Ina Zhupa, shoqata kërkon ndryshimin e këtiij projektligji.
Top Channel