Bill Cosby dhe Roman Polanski janë përjashtuar nga Akademia amerikane e Arteve filmike dhe Shkencës. Organizata prestigjioze, e cila organizon edhe ndarjen e çmimeve “Oscar” njoftoi vendimin e marrë këtë të enjte.

Ylli i televizionit, Cosby u dënua për agresion seksual muajin e kaluar. Ndërsa regjisori Polanski pranoi të ketë përdhunuar një 13-vjeçare në vitin 1977.

Edhe producenti Harvey Weinstein u përjashtua vitin e kaluar, pas akuzave të panumërta për agresione seksuale ndaj aktoreve të ndryshme.

Akademia bëri të ditur se anëtarët e bordit morën vendim pas një votimi të zhvilluar këtë të enjte.

Në një deklaratë thuhet se bordi “votoi për përjashtimin e aktorit Bill Cosby dhe regjisorit Roman Polanski nga anëtarësia, në përputhje me standardet e sjelljes së organizatës”.

“Bordi vijon të inkurajojë standardet etike që u kërkohen anëtarëve, në mbështetje të vlerave të Akademisë për respektimin e dinjitetit njerëzor”, shtohej më tej në deklaratë.

Në historinë 91-vjeçare të kësaj organizate shënohen 4 të përjashtuar. I pari ishte aktori Carmine Caridi, të cilit iu revokua anëtarësia në vitin 2004 pasi pretendohet t’i ketë dhënë pamjet paraprake filmike konfidenciale një miku të tij, që përfunduan më pas “online”.

Në prill, 80-vjeçari Cosby u shpall fajtor për 3 akuza për agresion seksual, secila me një dënim maksimal prej 10 vitesh. Ai doli para gjyqit edhe për përdorim narkotikësh dhe sulm ndaj ish-basketbollistit Andrea Constand, në vitin 2004. Kjo ishte hera e dytë, që aktori dilte në gjy për të njëjtat akuza, pasi një juri e mëparshme dështoi të dilte me një vendim në vitin 2017.

Polanski pranoi ngacmimet e paligjshme seksuale me një të mitur në vitin 1977, për të cilat vuajti 42 ditë burgim, por më pas u largua nga Shtetet e Bashkuara, me frikën se marrëveshja e fajësisë do t’i anulohej.

Top Channel