I mbijetoi sulmit në Manchester, Princi Harry e fton në dasmë

12/04/2018 14:26

Amelia Thomson, e cila ishte mes fëmijëve që dëshmuan sulmin e tmerrshëm terrorist në Manchester, mendoi se nëna e saj kishte bëra shaka me të kur i tha se ishte e ftuar në dasmën e Princit Harry dhe Meghan Markle, në kështjellën “Windsor”.

“Mendova se po tallej me mua, mbeta pa fjalë”, tha vogëlushja për mediet britanike.

Muajin e kaluar, çifti mbretëror njoftoi se do të ftonte 1.200 pjesëtarë të publikut në ceremoninë martesore të 19 majit. Mes tyre do të jenë të rinj që i kanë shërbyer komunitetit.

Nëna e Amelias, Lisa Newton tha se kishte regjistruar vajzën mes kandidatëve për të marrë pjesë në ceremoni, për t’i dhuruar asaj momente kënaqësie pas traumës që i shkaktoi sulmi gjatë koncertit të Ariana Grande.

Plot 22 persona, përfshirë 5 fëmijë, humbën jetën në sulmin e majit të kaluar, ndërsa 500 të tjerë mbetën të plagosur.

Edhe Newton u ftua të merrte pjesë në dasmën më të diskutuar të vitit, por ajo ia dha ftesën një gruaje që humbi vajzën në sulm.

Të martën u bë e ditur se elita politike nuk do të marrë pjesë në ceremoninë martesore në kapelën e Sait George, në kështjellen “Windsor”, e në pritjen që do të pasojë. Theresa May dhe Donald Trump nuk do të jenë mes 600 të ftuareve, e as Michele e Barack Obama, që janë miq të Princit Harry.

Top Channel