Për vite me radhë shumë anije dhe avionë janë zhdukur në mënyrë misterioze pa lënë asnjë gjurmë në këtë pjesë të planetit tonë.
Bëhet fjalë për atë që njihet si “Trekëndëshi i Bermudës”, që përfshin hapësirën detare në Atlantik mes Majemit të Shteteve të Bashkuara, San Juan të Porto Rikos dhe ishujve Bermuda.
Për vite me radhë shkencëtarët janë përpjekur që të shpjegojnë fenomenet natyrore të pazakonta që ndodhin në këtë trekëndësh, madje ka nga ata që kanë arritur deri aty sa të thonë që bëhet fjalë për një dorë të huaj, jonjerëzore, pra alienë.
E përbashkëta e pjesës më të madhe të përpjekjeve për të shpjeguar stuhitë ekstreme në Trekëndëshin e Bermudës është se kanë mbetur teori. E këtyre teorive u shtohet edhe një tjetër.
Një grup studiuesish të Universitetit të Kolorados analizuan duke përdorur pamjet satelitore format e reve në këtë trekëndësh. Ata panë se në shumë raste retë formonin në mes të tyre një hapësirë me qiell të pastër në formë hegzagonale.
Meteorologët thonë se në këtë formë vorbulle, këto re shndërrohen në bomba ajri të vërteta dhe besojnë se ky është shkaku kryesor që erërat në këtë zonë kapin lehtësisht një shpejtësi mbi 250 kilometra për orë dhe në gjendje të gjenerojnë dallgë deri në 15 metra të larta.
E në të tilla kushte, asnjë mjet fluturues dhe as lundrues i ndërtuar nga njeriu, të paktën deri më sot nuk mund të mbijetojë.
Ajo që po përpiqen të kuptojnë tashmë shkencëtarët e Universitetit të Kolorados është se përse retë në Trekëndëshin e Bermudës nuk “sillen” normalisht si në pjesët e tjera të globit, ku lëvizin frontalisht.
Top Channel