Sorbeto me garniture me milingona të zeza në restorantin me 2 yje ‘Mishelin’, pronarja gjobitet 11 mijë dollarë

17/09/2026 17:14

Pronarja e një restoranti me dy yje ‘Michelin’ në Korenë e Jugut i ka shpëtuar dënimit me burg në një çështje të bujshme, që lidhej me një ëmbëlsirë të tipit sorbet, të dekoruar me milingona.

Më 16 shtator, Gjykata e Qarkut Perëndimor të Seulit e gjobiti pronaren e restorantit me 11 mijë dollarë. Ajo u identifikua vetëm si një grua me mbiemrin Kim, ndërsa emri i restorantit nuk u bë publik. Ndërkohë shefi i kuzhinës së restorantit nuk u akuzua për asnjë shkelje.

CNN shkruan se, prokurorët kishin kërkuar një dënim me një vit burg për pronaren dhe një gjobë prej 13.580 dollarë, duke iu referuar një fitimi prej 81.470 dollarë gjatë katër viteve të fundit.

Problemi nuk qëndron te fakti se në menu u shfaqën insekte.

Çështja lidhet më tepër me rregulloret specifike të Koresë së Jugut për ushqimin, të cilat përcaktojnë se cilat insekte lejohen të shërbehen në pjatat e klientëve.

Në korrik, zyra e prokurorit deklaroi për CNN se restoranti në fjalë kishte shërbyer milingona të thara, të importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Tajlanda, që nga viti 2021.

Ata pretenduan se restoranti kishte shërbyer rreth 49,000 milingona në 12,200 porcione të ëmbëlsirës sorbet.

Sipas qeverisë, problemi nuk ishte thjesht prania e milingonave në ushqim. Ministria e Sigurisë së Ushqimit dhe Barnave deklaroi se hetuesit “zbuluan se milingonat e përdorura nga ky restorant përmbanin nivele metalesh të rënda deri në 55 herë më të larta se kufiri maksimal i lejuar për insekte të tjera të ngrënshme”.

Gjatë dhënies së vendimit, gjykatësi vuri në dukje se ekzistonte një rrezik i mundshëm për shëndetin, pasi në milingonat e shitura nga restoranti ishin gjetur metale të rënda mbi nivelet e lejuara.

Megjithatë, gjatë përcaktimit të dënimit, gjykatësi mori parasysh faktin se sasia e milingonave të përdorura dukej të ishte më e vogël se ajo e llogaritur nga prokurorët, si dhe faktin se Kim nuk kishte precedentë penalë të mëparshëm.

Sipas Ministrisë së Sigurisë së Ushqimit dhe Barnave të Koresë së Jugut, ky produkt me bazë milingonash importohet nga Tajlanda.

Aktivistët në Korenë e Jugut dhe jo vetëm kanë argumentuar gjithnjë e më shumë se insektet janë një burim proteinash po aq i besueshëm sa produktet e tjera shtazore.

Duke pasur parasysh lehtësinë me të cilën ato rriten dhe mblidhen – duke kërkuar më pak burime sesa blegtoria tradicionale – insektet ofrojnë një mënyrë efektive për të luftuar ndryshimet klimatike.

Megjithatë, sipas ligjit të vendit për Higjienën e Ushqimit, vetëm 10 lloje insektesh, përfshirë karkalecat dhe krimbat e mëndafshit, lejohen për konsum njerëzor. Shërbimi i çdo lloji tjetër insekti, siç janë milingonat, kërkon miratim të veçantë nga autoritetet.

Ndërkohë mediat lokale raportuan se, avokatët që përfaqësojnë restorantin thanë se shefi i kuzhinës përdori milingona për t’i dhënë aciditet pjatës, pa e ditur se receta që kishte përdorur dikur në SHBA dhe Evropë është e ndaluar me ligj në Korenë e Jugut.

Ata shtuan gjithashtu se restoranti u shërbeu milingona vetëm rreth 60% të klientëve dhe se prania e tyre ishte e shënuar qartë në menu si pjesë e pjatës.

Top Channel