Miliarderi padit aktoren kineze dhe prindërit e saj: U dhashë 4.5 milionë dollarë për martesën, më kërkuan 50 milionë për fëmijën

16/09/2026 17:10

Miliarderi i kriptomonedhave dhe themeluesi 36-vjeçar i kompanisë blockchain Tron, Justin Sun, ka ngritur një padi kundër aktores kineze Jing Tian dhe prindërve të saj, duke kërkuar kthimin e 30 milionë juanëve, rreth 4.5 milionë dollarë, që pretendon se ua kishte transferuar si pagesë tradicionale e lidhur me martesën.

Sipas Sun, çifti po planifikonte të martohej, por marrëdhënia mori fund gjatë përgatitjeve për procedurat mjekësore në Shtetet e Bashkuara, ku synonin të kishin një fëmijë përmes një nëne zëvendësuese.

Në një përgjigje me shkrim për Wall Street Journal, Sun tha se kishte transferuar shumën prej 30 milionë juanësh te prindërit e Jing Tian, 38 vjeç, pasi të dy po dilnin me qëllimin për t’u martuar.

Megjithatë, miliarderi pretendon se situata ndryshoi kur, sipas tij, “pala tjetër” kërkoi 50 milionë dollarë në lidhje me procesin për të pasur një fëmijë përmes një nëne zëvendësuese në SHBA.

Sun tha se refuzoi të paguante shumën e kërkuar dhe se pas kësaj komunikimi mes palëve u ndërpre.

“Fejesa nuk mund të vazhdonte më”, deklaroi ai për Wall Street Journal.

Jing Tian është e njohur për rolet e saj në disa prodhime ndërkombëtare, mes tyre “The Great Wall”, ku luajti përkrah Matt Damon, si dhe “Kong: Skull Island” dhe “Pacific Rim Uprising”.

Avokati i Sun, Zhang Qihuai, konfirmoi në mediat sociale kineze se një gjykatë kishte pranuar padinë për kthimin e 30 milionë juanëve dhe se në çështje janë përfshirë si të pandehur Jing Tian dhe prindërit e saj.

Aktorja nuk ka dhënë publikisht versionin e saj për akuzat. Megjithatë, një ditë pasi u bë publike padia, ajo publikoi një mesazh në të cilin tha se kishte treguar “gjykim të dobët” në zgjedhjen e burrave, ndërsa mohoi se dashuria e saj mund të blihej me para.

“Unë nuk do ta shes kurrë dashurinë time për para”, shkroi ajo, duke shtuar: “Unë besoj në ligj” dhe se “drejtësia dhe paanësia do të triumfojnë në fund”.

Përveç padisë, Sun publikoi edhe një shkrim të gjatë, të cilin e paraqiti si një rrëfim për “shoqen time Jing Tian”. Në të, ai përshkruante admirimin e tij për aktoren, një takim privat dhe pagesën që kishte bërë për familjen e saj.

Në këtë postim, Sun pretendoi gjithashtu se kishte kërkuar këshillën e chatbot-it të inteligjencës artificiale Claude, të kompanisë Anthropic, pasi i ishte bërë kërkesa për 50 milionë dollarë lidhur me lindjen e një fëmije përmes një nëne zëvendësuese.

Sipas rrëfimit të tij, pas këshillës së inteligjencës artificiale, ai vendosi të mos e paguante shumën e kërkuar.

Avokati i Sun ka këmbëngulur se, pavarësisht natyrës së pazakontë të pretendimeve të bëra në postimin e miliarderit, padia është reale dhe gjykata ka pranuar çështjen që lidhet me transferimin prej 30 milionë juanësh.

Top Channel