Thanasi Kokkinakis frenohet në turneun Masters të Majemit. Tenisti australian, i cili eliminoi Roger Federerin, u mund në raundin e tretë nga spanjolli Fernando Verdasco me rezultatin 2-1.
Ishte një sfidë shumë e rivalizuar ajo e zhvilluar mes Kokkinakis dhe Verdasco, e cila u mbyll pas 2 orë e 54 minutash lojë. Kokkinakis fitoi setin e parë 6-3, por Verdasco diti t’i kundërpërgjigjej dhe fitoi dy të tjerët 6-4 dhe 7-6. Në 1/8 e finaleve të evenimentit, Verdasco do të përballet me bashkëkombasin e tij Pablo Carreno-Busta, i cili mundi amerikanin Johnson 2-0.
Nuk gaboi australiani tjetër Nick Kyrgios, i cili siguroi një vend në 1/8 e finaleve pasi mposhti italianin Fabio Fognini. Kyrgios ishte superior ndaj kundërshtarit të tij dhe e mbylli këtë ndeshje pas vetëm 66 minutash lojë, duke e fituar 2-0 (6-3 dhe 6-3).
Alexander Zverev dhe David Ferrer u bënë protagonistë të një ndeshjeje shumë të luftuar, ku triumfues doli tenisti gjerman me rezultatin 2-1. Fillimi ishte shumë i mirë për Ferrer, i cili fitoi setin e parë 6-2, por i riu Zverev e mori veten dhe arriti të fitojë dy setet e tjerë me rezultatin 6-2 dhe 6-4, ndërsa krejt ndeshjen 2-1. Në 1/8 e finaleve, Zverev do të përballet pikërisht me Nick Kyrgios.
Top Channel