Botërori i ri i Formulës 1 ka nisur ashtu siç edhe u mbyll, me një kohë rekord në kualifikueset zyrtare për “pole position” nga piloti britanik, kampion bote në fuqi, Lewis Hamilton në Melbourne të Australisë.
Me Mercedesin e tij, Hamilton arriti të regjistrojë xhiron më të shpejtë të të gjitha kohërave në pistën e “Albert Park”-ut, me kohën 1 minutë, 21 sekonda e 164 të mijëtat. Një kohë e pamundur për t’u arritur nga të tjerët, duke nisur nga Ferrari i pretendimeve të mëdha.
Raikkonen dhe Vettel nuk kanë mundur të sigurojnë më shumë sesa vendi i dytë dhe i tretë respektivisht, por me një diferencë prej 7 të dhjetash nga udhëheqësi.
Pas dy pilotëve të “kokëkuqes” janë renditur dy Red Bullët e Verstappenit dhe Ricciardos, edhe pse australiani do të mund të niset vetëm nga vendi i tetë.
Në garën e ditës së nesërme, dy ferraristëve nuk iu mbetet gjë tjetër veçse të nisen sa më mirë, për të mos lejuar shkëputjen dhe arratisjen e kampionit të botës në fuqi.
Me “pole positionin” e sotëm, britaniku është ngjitur në kuotën e 7 të tillave vetëm në Melbourne.
Top Channel