Lazio i jep leksion Juventusit, fiton me tre gola në Torino dhe arrin Interin në krye të Serie A

18/10/2026 22:42

Lazio ka dhuruar një paraqitje bindëse në transfertën ndaj Juventusit, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 në “Allianz Stadium”.

Bardhekaltrit kanë dominuar sfidën dhe kanë marrë tri pikë të rëndësishme, duke barazuar Interin në krye të renditjes së Serie A.

Juventusi ka pësuar një humbje të rëndë në shtëpi, në një mbrëmje ku Lazio tregoi efikasitet dhe organizim, duke shfrytëzuar momentet vendimtare të ndeshjes. Skuadra torineze nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, ndërsa miqtë u treguan të pamëshirshëm para portës.

Goli i parë erdhi në minutën e 37-të, kur Oliver Provstgaard përfitoi nga një krosim i Mattia Zaccagnit pas goditjes së këndit dhe dërgoi topin në rrjetë me kokë. Lazio shkoi kështu në pushimin e pjesëve me avantazhin minimal, por me një epërsi që do ta thellonte pas rikthimit në fushë.

Në minutën e 66-të, Gustav Isaksen realizoi golin e dytë, pas asistit të Nuno Tavares, duke e bërë edhe më të vështirë misionin e Juventusit. Bardhezinjtë tentuan të reagonin për të rihapur takimin, por mungesa e saktësisë në fazën sulmuese i pengoi të ndryshonin rezultatin.

Goditja përfundimtare erdhi në minutën e 89-të. Fisayo Dele-Bashiru përfitoi nga një kundërsulm i shpejtë dhe shënoi golin e tretë, duke vulosur suksesin e Lazio-s në Torino.

Ky rezultat konfirmon forcën e skuadrës kryeqytetase dhe i jep një shtysë të rëndësishme në garën për kreun e kampionatit. Me këtë fitore, Lazio arrin Interin me pikë në krye të Serie A.

Top Channel