Interesi për Kombëtaren shqiptare po rritet ndjeshëm përpara një prej ndeshjeve më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.

Mbi 15 mijë bileta janë shitur tashmë për përballjen Shqipëri-Finlandë, ndërsa stadiumi po i afrohet gjithnjë e më shumë një mbrëmjeje me tribuna të mbushura.

Sfida do të luhet më 12 nëntor, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë. Ritmi i shitjeve tregon interesin e lartë të tifozëve, të cilët pritet të jenë pranë kuqezinjve në një takim me rëndësi të veçantë për objektivat e skuadrës.

Përballja me Finlandën nuk është thjesht një tjetër ndeshje në kalendar. Shqipëria kryeson Grupin C1 me 9 pikë, ndërsa Finlanda dhe Bjellorusia ndjekin me nga 7 pikë. Për këtë arsye, dueli i nëntorit mund të ndikojë drejtpërdrejt në garën për vendin e parë.

Kuqezinjtë do të kërkojnë të shfrytëzojnë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve për të marrë një rezultat pozitiv. Me interesimin që vijon të jetë i lartë, objektivi tashmë është mbushja e stadiumit dhe krijimi i një atmosfere të zjarrtë për Kombëtaren. Biletat mund të blihen online në platformën zyrtare ebileta.al. Me më shumë se 15 mijë bileta të shitura, mbetet për t’u parë nëse stadiumi do të arrijë të shitet plotësisht deri në ditën e ndeshjes.

Top Channel